English

Policia jep detaje të arrestimit të Gjokës që hodhi djalin nga ura për ta vrarë

Shkodër, 5 Dhjetor NOA - Policia e Shkodrës ka konfirmuar arrestimin e Eduard Gjokës, babai që hodhi fëmijën e tij vetëm dy vjeçar nga ura me qëllimin për t'i marrë jetën.

"Eduard Gjoka u arrestua në orën 10.30 të ditës së Shtunë, si rezultat i një operacioni të mirëorganizuar nga efektivat e Sektorit të Krimeve të Rënda", - i thanë agjencisë NOA, burime zyrtare në Drejtorinë e Policisë Shkodër.

Gjoka, u kap pas rrethimit policor, rreth 12 kilometra larg qytetit, pikërisht në vendin e quajtur Kodrat e Bardhajve.

"Kapja e 32-vjeçarit Gjoka u bë, në fshatin Bardhaj, Komuna Rrethina Shkodër, në banesën e një të afërmi të tij pas një operacioni, i cili zgjati rreth 16 orë dhe u drejtua nga vetë Drejtori i Policisë së Qarkut", - detajuan zyrtarët e policisë.

Eduard Pjeter Gjoka, 32 vjeç, lindur dhe banues në lagjen "Tre Heronjtë" të qytetit Shkodër, dje rreth orës 15.30, në zonën pranë stacionit të trenit të qytetit, fare afër banesës ku jetonte, ka tentuar të vrasë djalin e tij dy vjeçar E. Gjoka, duke e hedhur nga Mbikalimi i Trenit nga një lartësi prej 5 metrash.

Pasi ka hedhur djalin, 32-vjeçari i divorcuar është larguar nga vendi i ngjarjes. I mituri është dërguar për ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal Shkodër.

Mjekët konfirmuan për korrespondentin e NOA se vogëlushi është jashtë rrezikut për jetën, por si rezultat i hedhjes nga lartësia prej të atit, ai ka pësuar frakturë në njërën këmbë.

Nga veprimet e para hetimore rezultoi, se ngjarja ka ndodhur, për motive të dobëta, pasi autori ishte i divorcuar nga bashkëshortja e tij, dhe veprimin e ka kryer në shenje hakmarrjeje.

"Nga ana jonë po kryhen të gjitha veprimet e duhura procedurale dhe hetimore dhe materialet në ngarkim të 32-vjeçarit Eduard Gjoka do t'i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprën penale të "Vrasjes me dashje të mbetur në tentativë", - përfundoi policia.

r.d/e.r/NOA

KOMENTE