English

Promovohet Manuali Shqiptar për Qeverisjen e Korporatave

Tiranë, 5 Dhjetor NOA - Â Programi mbi Qeverisjen e Korporatave zbatuar nga IFC-ja, Korporata Financiare Ndërkombëtare, pjesë e Grupit të Bankës Botërore, me mbështetjen e Qeverisë Zviceriane nëpërmjet Sekretariatit të Shtetit për Marrëdhëniet Ekonomike (SECO) hodhi në treg Manualin Shqiptar për Qeverisjen e Korporatave.

Aktiviteti u organizua në bashkëpunim me Bursën e Tiranës dhe Shoqatën e Investitorëve të Huaj në Shqipëri, me një pjesëmarrje të gjerë të përfaqësuesve të komunitetit shqiptar të biznesit, bankave dhe institucioneve të tjera.

Folës kryesorë ishin Sonila Biçaku, Drejtuese e Projektit të Qeverisjes së Korporatave në Shqipëri, Anila Fureraj Drejtoreshë Ekzekutive e Bursës së Tiranës dhe Avokat Sokol Nalo, Managing Partner i Wolf Theiss në Shqipëri.

Folësit nxorën në pah forcat lëvizëse të Qeverisjes së Korporatave dhe përfitimet e përmirësimit të tyre.

Ky manual u jep ekzekutivëve, drejtorëve dhe aksionarëve një përmbledhje të përgjithshme mbi strukturën e Qeverisjes së Korporatave, të praktikave të përditësuara, si dhe një guidë praktike të dizenjuar për të ndihmuar zbatimin e qeverisjes së mirë.

Manuali i jep lexuesit një paraqitje të kërkesave ligjore dhe rregullatore në lidhje me Qeverisjen e Korporatave me referenca ligjore, si dhe në disa raste paraqet praktikat më të mira për Qeverisjen e Korporatave.

Manuali jep shembuj praktikë se si standardet e Qeverisjes së Korporatave mund të zbatohen nga ana e ekzekutivit dhe drejtuesve, në mënyrë që këta të fundit të përmbushin detyrimet e tyre në përputhje me qeverisjen e kompanisë.

Ky manual u vjen në ndihmë edhe qeveritarëve, avokatëve, gjykatësve, investitorëve, e të tjerë, me anë të një strukture e cila vlerëson nivelin dhe sferën e referimit të praktikave për Qeverisjen e Korporatave të kompanive shqiptare.

"Përfundimisht ky manual shërben si një mjet pune për edukimin institucional të gjeneratës së ardhshme të menaxherëve shqiptar, të investitorëve, të politikbërësve si dhe të praktikave për mirëqeverisjen e korporatave", - konsiderohet nga ekspertët.

e.l/NOA

KOMENTE