Uashington, 5 dhjetor, NOA - Sipas një raporti më të fundit nga Departamenti i Punës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, papunësia në këtë vend ka njohur rënie gjatë javëve të fundit.
Këto të dhëna pozitive janë përshëndetur nga presidenti amerikan Barak Obama, sipas të cilit gjithsesi, nevojitet edhe pak kohë për të pretenduar rimëkëmbjen e vërtetë ekonomike të SHBA-ve.
"Ky është një lajm i mirënë stinën e shpresave. Por duhet t'i shohim gjerat më larg. Kemi ende shumë rrugë për të bërë. Na duhet të rrisim numrin e vendeve të punës dhe ta bëjmë Amerikën të funksionojë më mirë sa më shpejt që mundemi", tha presidenti Obama gjatë një fjalimi në shtetin e Pensilvanisë mbi raportin në fjalë.
Sipas të dhënave konkrete të raportit të papunësisë, 11 mijë vende pune u humbën gjatë muajit nëntor, shumë më pak seç pritej, dhe papunësia ra nga 10,2 % në tetor në 10 përqind muajin e kaluar.
Nga ana tjetër, republikani kryesor në dhomën e përfaqësuesve, udhëheqësi i pakicës e përshëndeti lajmin duke paraqitur rezerva.
"Çdo rënie në nivelin e papunësisë është inkurajuese. Por një rimëkëmbje me papunësi dhe një nivel në mbi 10 % nuk ishin premtimet që iu dhanë popullit amerikan", mësohet të ketë thënë ai.
n.e/NOA