Tiranë, 6 nëntor NOA/UPDATE - Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Ilir Meta ka dalë sot në një konferencë për shtyp për të bërë publike detajet e takimit të tij me ministrat e jashtëm të Evropës që u mbajt në datën 1 dhe 2 dhjetor në Athinë të Greqisë.
"Ministrat debatuan në lidhje me këto zhvillime dhe adoptuan dy vendime të rëndësishme, që do të angazhojnë organizatën në adresimin e çështjeve të sigurisë evropiane, nëpërmjet mekanizmit të Procesit të Korfuzit, që është iniciuar 6 muaj më parë nga Kryesia greke e OSBE-së.
Në fjalën time në Këshillin e Ministrave, pasi vlerësova kontributin e mekanizmave ekzistues të OSBE-së në forcimin e stabilitetit dhe demokracisë në gjithë rajonin ku organizata vepron, theksova në mënyrë të veçantë domosdoshmërinë e përsosjes së instrumenteve të OSBE-së në të tre dimensionet e saj, në atë politiko-ushtarak, të zhvillimit ekonomik dhe atë të të drejtave të njeriut, demokracisë e shtetit ligjor. Gjithashtu, argumentova se OSBE është forumi i përshtatshëm ku duhet të debatohet mbi të ardhmen e sigurisë evropiane", - tha Meta.
Zv/kryeministri tregoi se kishte pasur takime me disa homologë të tij ndërsa theksoi takimin me Kryeministrin e Greqisë, Papandreu, ku ky i fundit i konfirmoi Metës vullnetin e Qeverisë së tij për të avancuar dhe konkretizuar nismën e qeverisë greke për përfshirjen e Ballkanit Perëndimor në BE në vitin 2014.
"Gjithashtu, në ditët e punimeve të Ministerialit, u takova dhe me Presidentin e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, Z. Joao Soares dhe Drejtorin e ODIHR-it, Amb. Janesz Lenarçiç. Të dy zyrtarët e lartë të organizatës rikonfirmuan qëndrimin e institucioneve që ata përfaqësojnë për zgjedhjet e 28 qershorit, duke i cilësuar ato si një progres të dukshëm dhe që kanë realizuar shumicën e standardeve më të larta të OSBE/ODIHR-it. Ata u shprehën se kanë mirëpritur ofertat që ka bërë Qeveria, në mënyrë të përsëritur, për të sjellë opozitën në parlament, duke vlerësuar në mënyrë të veçantë gatishmërinë e saj për t'i ofruar opozitës rol drejtues në reformën e procesit zgjedhor, sipas rekomandime të bëra nga OSBE/ODIHR", - tha më tej Meta.
Ndërkohë që gazetarët kanë pyetur ministrin e Jashtëm, Meta se çfarë qëndrimi do të paraqisi në takimin e Partive Socialiste Evropiane.
"Ju e dini që LSI është një forcë e majtë progresiste që ka raporte të mira me partitë socialiste evropiane dhe grupin socialist, me parlamentin evropian dhe institucionet e tjera evropiane. Kështu që pjesëmarrja e jonë në aktivitetet dhe konferencat e Partive Socialiste Evropiane tashmë është kthyer edhe në një traditë dhe natyrisht që kjo është një mundësi shumë e mirë për tu takuar me drejtues të rëndësishëm të së majtës evropiane dhe për të ndarë me ta vullnetin dhe dëshirën e përbashkët, që Shqipëria sa më shpejt të fitojë liberalizimin e vizave; që Shqipëria sa më shpejt të jetë një vend anëtar i BE-së" u përgjigj Meta.
Meta është pyetur sesi e konsideron akuzat e ndërsjella mes kreut të PS-së, Edi Rama dhe kryeministrit Sali Berisha.
"Nuk kemi nevojë as për akuza të ndërsjella dhe as për thasë me plehra në një ambient që për fat të keq nuk është shumë ekologjik për politikën shqiptare. Kemi nevojë që të gjithë të zhvillojmë përgjegjësitë që kemi marrë nga zgjedhjet e 28 qershorit nga qytetarët shqiptarë, sidomos lidhur me atë që kërkojnë ata, siç është dita e liberalizimit të vizave, një jetë më të mirë dhe anëtarësimin e Shqipërisë në BE.
Ndaj do doja që ta quaja këtë sezon ngacmimesh dhe provokimesh të panevojshme si një grip stinor që duhet ta lëmë sa më shpejt pas dhe të ecim të gjithë përpara pasi nuk kemi kohë për të humbur. Të gjithë qytetarët shqiptarë presin një ritëm më të lartë të reformave, presin një forcim të mëtejshëm të institucioneve demokratike dhe ato të shtetit ligjor, presin jo vetëm shërbime më të mira jo vetëm nga qeveria dhe administrata e saj por edhe pushteti vendor.
Qytetarët presin të pastrohen edhe ato mbeturina të cilat ende shqetësojnë qytetin tonë por edhe qytetet e tjera të vendit dhe kurrsesi nuk mirëpresin që atë formë qoftë simbolike të përqendrohen në sheshet dhe në bulevardet kryesore" tha Meta.
k.k/NOA