English

Balli Kombëtar Demokrat: Me kërkesat irracionale Rama po keqpërdor demokracinë

Tiranë, 6 Dhjetor NOA - Shqipëria nuk ka krizë politike, por opozita e majtë ka një problem, sepse kryetari i saj dëshiron të bëhet kryeministër me çdo kusht dhe me kërkesat irracionale ai po keqpërdor demokracinë dhe kërcënon sistemin.

Ky ishte vlerësimi i dhënë sot, nga partia Ballit Kombëtar Demokrat që reagoi mbi zhvillimet e fundit politike në vend dhe shprehu mbështetjen për mazhorancën.

Çelo Hoxha, Sekretar i Përgjithshëm i partisë Ballit Kombëtar Demokrat, forcë politike që nuk ekziston në Parlament, tha sot se demokracia shqiptare ka mangësitë dhe arritjet e saj, por sado e papërsosur që ajo mund të jetë, duhet ta kemi bindje se kërcënimi i saj është katastrofë.

Duke theksuar se Shqipëria nuk ka krizë politike dhe fajësuar Ramën se ka një plan për të marrë kolltukun e kryeministrit, Hoxha tha se një skemë e tillë, nuk është e panjohur në historinë tonë.

Ai iu referua vitit 1924 kur siç tha, disa mendje të nxehta politike krijuan thuajse të njëjtën situatë, nga debati politik kaluan në përballje të të dhunshme.

Hoxha pohoi se zgjidhjet e dhunshme nuk ofrojnë qetësi, por motiv për një zgjidhje tjetër të dhunshme.

Madje theksoi se "edhe ëndrrat më të bukura janë të dëmshme, nëse realizimi i tyre kërcënon sistemin demokratik".

Në këtë kuadër, Hoxha bëri thirrje që me rastin e përvjetorit të vendosjes së pluralizmit në Shqipëri "të gjithë mund të reflektojmë një hop për të bërë bilancin e të mirave dhe të këqija".

Ndaj partia e Ballit Kombëtar Demokrat u bën thirrje të gjithë përkrahësve të saj që në 8 dhjetor të marrin pjesë në manifestimin në sheshin Skënderbej duke vlerësuar se ajo nuk është festë e një apo disa partive, por e të gjithë shqiptarëve.

"Në shesh nuk duhet të jenë vetëm ata që u burgosën, internuan dhe persekutuan nga komunizmi, as vetëm ata që u treguan më aktivët ato ditë. Ata kanë vendin e nderit në këtë festë, dhe ne përulemi para sakrificës së tyre, por lirinë e fituan për të gjithë shqiptarët", - tha Hoxha.

e.r/NOA

KOMENTE