English

Deputeti Maliqi: Rama, protesta e radhës do të jetë "Stop dhunës ndaj grave"

Tiranë, 6 Dhjetor NOA -Deputeti demokrat Lefter Maliqi ishte personazhi i radhës i mazhorancës që doli sot para mediave për të fshikulluar Edi Ramën në një fushatë që ka nisur PD prej mëse dy javësh kundër kreut të PS që drejton edhe Bashkinë e Tiranës.

Maliqi, ish-kryetar i njërës prej komunave më të mëdha të Shqipërisë, asaj të Otllakut, gjithashtu ish-drejtues në strukturat e Policisë së Shtetit, tha se dilte sot para mediave për të trajtuar dy nga problemet e protestës së djeshme të opozitës, për cënimin e autonomisë vendore dhe situatës aktuale të rendit dhe sigurisë në vend.

Duke folur si ish-drejtues i pushtetit lokal, Maliqi tha se "protesta e djeshme e opozitës nuk ka të bëjë me cënim të autonomisë vendore, por vetëm me qëllime politike personale të z,Rama, i cili kërkon të abuzojë me taksat e qytetarëve duke kërkuar fonde shtesë për tualete portative dhe çadra, qofte e pije protestash, destabilizuese për rendin kushtetues".

Më tej, Maliqi vijoi me breshërinë tashmë të zakonshme të emrave të ndryshëm të PD ndaj Edi Ramës:

"Kupola e mafies së ndërtimit, krimit të organizuar dhe pengu i tyre, popstari Rama, filloi protesta për kutitë, dje për cënimin e autonomisë vendore, nesër mos tu duket habi që protesta e radhës të jetë "Stop dhunës ndaj grave dhe familjes. Mos të mburret ky dashnor i gjuhës shqipe sepse është mëkatar i ndjenjës njerëzore, duke lënduar nëna, gra e motra shqiptare".

Në vijim, Maliqi iu drejtua z.Rama, me bindjen se "nuk rrezikohet demokracia dhe vlerat e saj nga "ibriku i salepit", që valon në zyrat e PS.

"Zoti Rama të drejtohem si deputet, si anëtar i Komisionit parlamentar të Sigurisë dhe për më tepër si një ish drejtues i Policisë së Shtetit, duke të kujtuar se ka ikur një herë e mirë koha e 1997, koha kur Gjinushët dhe Çaushët, Dadet dhe Baret, Ruçët dhe Mezanët, Kullat dhe Kateshët, u turrën kundër institucioneve të shtetit, duke djegur e shkatërruar gjithçka. Tani krahu juaj i armatosur ndodhet prapa hekurave dhe Shqipëria është anëtare e NATO-s", - ishte vazhdimi i "apelit" të Maliqit për Ramën.

Dhe në përfundim, i ka tërhequr sërish vëmendjen kryesocialistit: "Këtë mos e harro e mos guxo të prekësh institucionet, të fyesh, e të provokosh policinë e shtetit, si dje me Baren dhe sejmenët e tij që të vinë me qese plehrash nga prapa", duke e paralajmëruar Ramën se "atje ku e kanë vendin qeset e tua të zeza, atje do të jetë dhe fundi yt politik".

e.r/e.l/NOA

KOMENTE