English

Hajduti i makinave në Durrës zbulohet me mjetet e vjedhura, zhduket arma e gjahut

Durrës, 6 Dhjetor NOA - Një aksion special është kryer në orët e para të ditës së Diel nga forcat policore në Durrës duke çuar në zbulimin e disa të dyshuarve për vjedhje makinash dhe bllokimin si prova materiale të disa mjeteve.

Drejtori i Policisë së Durrësit Aleks Hajdari, tha sot se është arrestuar Mjaltor Lala 35 vjeç, i lindur dhe banues në lagjen nr. 16 Durrës, i papunë.

Hajdari sqaroi se për 35-vjeçarin Lala, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Durrës një ditë më parë kishte nxjerre Urdhër-Ndalimi pasi strukturat e policisë kanë dokumentuar me prova ligjore se është autor i vjedhjes së tre automjeteve në qytetin e Durrësit si dhe të një arme gjahu e cila ende nuk është gjetur pasi mendohet të jetë shitur nga autori i vjedhjes.

Në lidhje me makinat e vjedhura policia sqaron se njëra prej tyre, një veturë "Fiat Uno" me targë AZ359VH në pronësi të Arben Gj. është vjedhur më 16 tetor 2009 në lagjen nr 4 të qytetit bregdetar.

Makina e dytë është vjedhur më 19 tetor 2009 në lagjen nr. 3 të qytetit Durrës ka vjedhur autoveturën tip "Fiat Uno " me targe DR 5115 B në pronësi të shtetasit Fatmir Sh.

Kurse makina e tretë, është vjedhur para katër ditësh në lagjen nr 16 të Durrësit, një "Benz Mercedes" 190 D me targë DR 8312 B në pronësi të shtetasit Ymer Ç.

Policia tha se Lala gjithashtu është përfshirë edhe në vjedhjen e një arme gjahu, muajin e kaluar më 15 nëntor në lagjen nr 16 kur ka thyer xhamin anësor të veturës "Opel Corsa" në pronësi të shtetasit Rifat B me banim në këtë lagje.

Qytetari denoncoi se i ishte vjedhur arma e gjahut me numër 0601896 duke bërë që të fillojnë hetimet edhe për këtë ngjarje.

Në dinamikën e hetimit, policia zbardhi se të trija vjedhjet kishin një autor dhe ai ishte Lala që u arrestua sot në mëngjes.

Më herët ajo gjatë një kontrolli që ushtroi, në një rrugicë mes pallatesh në lagjen nr 16 gjeti dhe sekuestroi tre makinat e vjedhura, përkatësisht "Benzin" dhe dy veturat "Fiat".

Pas arrestimit, i dyshuari pranoi se ishte ai hajduti i katërfishtë, por tha se armën e gjahut nuk e posedonte më pasi e kishte shitur, duke detyruar policinë të vijojë kërkimet për ta gjetur.

a.a/e.r/NOA

KOMENTE