English

Jemi një

Aspirata jonë për të ardhmen na tregon se shqiptarë jemi jo vetëm pse kemi qenë, por edhe se do të bëhemi. JEMI NJË komb. Ashtu kemi qenë në të kaluarën, dhe ashtu do të mbesim në të ardhmen

Nga Visar Ymeri

Sa herë e kujtojmë 28 Nëntorin, kujtojmë vetveten, fatin tonë të përbashkët, historinë, kulturën dhe vullnetin shqiptar. Kjo na krijon, na mençuron, na trimëron dhe na lartëson.

Por 28 Nëntori na tregon edhe diçka tjetër - ai na e tregon rrugën përpara. Duke na kthyer në histori, na tregon se ku duhet të jemi në të ardhmen. Sepse në të ardhmen duhet të jemi atje për ku u nisëm në të kaluarën.

Kur u shpall pavarësia e Shqipërisë, ajo u shpall nga delegatë të të gjitha trevave të shqiptarëve. Shqipëria e pavarur u shpall për të gjitha këto treva dhe në të gjitha këto treva. Mosbërja e Shqipërisë atëherë ishte pasojë e raportit të forcave, jo e mungesës së vullnetit, apo e dallimeve të paqena mes nesh që sot po tentojnë të na i ndërtojnë. Shqipëria atëherë nuk u bë, por nga ajo nuk u hoq dorë kurrë.

Shqiptarët e mbetur jashtë e mbanin shqiponjën dykrenare për flamur të vetin. Atij nuk i thoshim flamuri i Shqipërisë, po yni. Me këtë tregonim dy gjëra: atë që ishim dhe atë që përpiqeshim ta bënim.

Ishim shqiptarë dhe përpiqeshim të bashkohemi.

Ashtu siç u bashkuam në rezistencë e në luftë, në protestë e demonstratë, në vuajtje e gëzime.

Ashtu siç jemi shqiptarë sot. Dhe ashtu siç jemi bashkuar sot në Sheshin Nëna Tereze.

Manifestime të ngjashme, të organizuara nga Rrjeti i Organizatave Shqiptare, ka sot edhe në Tiranë, në Shkup e Preshevë. Të gjitha këto e kanë një moto: JEMI NJË.

Por shqiptarë nuk jemi vetëm një ditë. Të tillë bëhemi përditë.

Kur punojmë e prodhojmë, kur rezistojmë e protestojmë, kur mësojmë e studiojmë, kur flasim e diskutojmë, ne duhet ta ndërtojmë të ardhmen tonë të përbashkët.

Kjo e ardhme do të jetë progresi ynë. Se progres është bashkimi - ai na bën më të fortë, më të zhvilluar, na e ngrit mirëqenien dhe na e lehtëson përditshmërinë. Të bashkuar prodhojmë më shumë, dhe krijojmë kushte më të mira për të mësuar e studiuar.

Ky progres na e garanton barazinë me të tjerët, meqenëse na bën siç janë të tjerët për vetveten, por edhe barazinë mes nesh, sepse na i përmirëson kushtet secilit prej nesh.

E për këtë progres duhet të përpiqet secili prej nesh. Kur mendojmë shqip, e flasim shqip, ne veprojmë shqip, e prodhojmë shqip. Por edhe duhet të blejmë shqip. Konsumimi i produkteve të prodhuara nga shqiptarët, i forcon këta prodhues dhe ua përmirëson prodhimet. Kjo pastaj na kthehet në më shumë zhvillim ekonomik e më shumë vende pune. Kështu i ndihmojmë vetvetes.

Aspirata jonë për të ardhmen na tregon se shqiptarë jemi jo vetëm pse kemi qenë, por edhe se do të bëhemi.

JEMI NJË komb. Ashtu kemi qenë në të kaluarën, dhe ashtu do të mbesim në të ardhmen.

Për fund i falënderoj të gjithë ata që na ndihmuan në realizimin e panairit të sotëm: prodhuesit të cilët ndihmuan financiarisht, por edhe që iu përgjigjen ftesës sonë për panair, këngëtarëve e valltarëve që na e zbukuruan këtë ditë, korit të fëmijëve Xixëllonjat për interpretimin e shkëlqyeshëm të himnit kombëtar, dhe juve mysafirëve të këtij panairi pa të cilët ky nuk kishte pasur kuptim.

Ju uroj çaste të këndshme në panairin e organizuar sot, dhe ua uroj Ditën e Flamurit dhe Pavarësisë, 28 Nëntorin.

(*) Fjalim me rastin e hapjes së Panairit të Kulturës, Traditës, Historisë dhe Prodhimeve shqiptare

KOMENTE