English

Kreu i LSI Meta thotë se më 8 dhjetor të gjithë shqiptarët duhet të festojnë

Tiranë, 6 Dhjetor NOA - Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Jashtëm Ilir Meta u shpreh sot në mbështetje të manifestimit të pritshëm më 8 dhjetor që po organizon qeveria dhe Partia Demokratike.

Në një konferencë për shtyp në selinë e MPJ ku Meta foli fillimisht mbi takimet e Athinës dhe Brukselit, ftoi "të gjithë shqiptarët të bashkohen më 8 dhjetor për të kujtuar ditën kur ra diktatura".

"Ne nuk duhet të harrojmë se Shqipëria ka qenë vendi më i izoluar i Evropës, ka qenë vendi ku qytetarët shqiptarë ëndërronin të shihnin qoftë dhe një stacion të huaj televiziv, ndërsa sot Shqipëria brenda një kohe të shkurtër është transformuar dhe është anëtar i NATO-s kur atë kohë ishte vend i bunkerëve", - deklaroi Meta pak minuta më parë në konferencën e shtypit që po vazhdon dhe që po ndiqet nga gazetarja e NOA.

Të mos harrojmë, shtoi Meta, - se Shqipëria sot është në prag të liberalizimit të vizave.

Pra ka shumë arsye pse shqiptarët duhet ta festojnë 8 dhjetorin, jo vetëm në mirënjohje të atyre studentëve dhe shqiptarëve që guxuan të rrezikojnë në emër të lirisë dhe ëndrrës evropiane por edhe për të treguar se do të vijojmë në rrugën e pakthyeshme të integrimit.

Këtu Meta siguroi se edhe pak vite na ndajnë nga realizimi i ëndrrës së studentëve të dhjetorit që ecën me sloganin "E duam Shqipërinë si gjithë Evropën".

e.r/NOA

KOMENTE