Tiranë, 6 Dhjetor NOA - Mitingu i 8 dhjetorit duhet të jetë më historiku i zhvilluar ndonjëherë në Shqipëri ndaj masat që duhet të marrë Partia Demokratike duhet të jenë të plota dhe efektive.
Deklarata u bë nga kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, pak minuta më parë, në mbledhjen e Kryesisë së Partisë Demokratike e cila aktualisht po vazhdon me dyer të mbyllura për mediat.
"Më 8 dhjetor duhet të bashkohemi të gjithë antikomunistët shqiptarë sepse ajo e ditë e vitit 1990 ishte dita e ngadhënjimit mbi diktatorin", - theksoi Berisha.
"Në 8 dhjetor të mblidhemi të gjithë në sheshin "Skënderbej" për të nderuar me respektin më të thellë ato djem edhe vajza të universitetit të Tiranës që u përballën më diktaturën më të egër që Evropa kishte parë ndonjëherë", - tha kreu i PD.
Data 8 dhjetor, vijoi ai, është dita ku shpirti dhe idealet e saj janë dhe mbeten të pamposhtura.
Ndaj për të nderuar këtë datë të shënuar, Berisha theksoi se demokratët kanë afat që "deri në orën 16.00 të ditës së martë të marrin masat për një pjesëmarrje sa më të madhe".
Me këtë rast, Berisha edhe një herë ftoi qytetarët e Tiranës dhe tërë vendit që të mbërrijnë në sheshin "Skënderbej" dhe "të nderojnë ata që rrëzuan diktaturën".
"Ju ftoj nga kjo platformë që të festojmë së bashku në 8 dhjetor ditën që ndau historinë e këtij kombi, ndau epokat e këtij kombi", - apeloi Berisha
e.r/NOA