English

Në një tunel pa dalje

Vetëm forca e presionit mund ta nxjerrë Partinë Socialiste nga tuneli. Ky është momenti më i përshtatshëm për të shtuar e koordinuar impenjimin politik e institucional në këtë drejtim. Kjo do të krijonte dhe kushtet reale për dialog të frytshëm, në ambientin e dialogut dhe jo në thellësi të tunelit

Nga Tritan Shehu

Opozita shqiptare e ka futur veten e saj në një tunel pa dalje. Çdo ditë që kalon në mënyrën më të çuditshme, ajo avancon akoma në drejtimin e gabuar pavarësisht thirrjeve e kërkesave racionale, që i bëhen për të t'u kthyer mbrapa. Për rrjedhojë pozicioni i saj, si pasojë e aventurizmit politik, mungesës së thellë të orientimit e përgjegjësisë, po keqësohet gjithmonë dhe më tepër. Nga ana tjetër, tashmë po duket qartësisht lidhja në mënyrë të pazgjidhshme e klaneve, që dominojnë PS, me pushtete okulte brenda apo jashtë saj, shtysë këto në këtë ndërmarrje të pa arrirë, klane që për origjinën e tyre nga krimi apo marrëzia, duket që nuk heqin dorë nga qëllimi i mbrapshtë. Në të gjitha analizat këtu kemi të bëjmë me një lëvizje thellësisht destruktive përballë interesave të vendit. Kemi të bëjmë me një lëvizje e cila synon, në mos të bllokojë, të ngadalësojë ritmin e proceseve tona integruese apo liberalizuese ndaj BE, të na mbajë ne larg këtij objektivi jetik, për fatet e vendit. Të tentosh të luash një rol të tillë nuk është e lehtë, sot do të thoja është e pamundur. Megjithatë, për hir të së vërtetës një ndërmarrje e tillë u ndërmor vite më përpara, në 1997, duke dhënë efekte tejet negative për ecurinë e vendit. Në 1997 ne u ndodhëm përballë skenarëve të ngjashëm, skenarë që me dy fjalë përmblidhen në përmbysje me dhunë të rendit kushtetues. Fatkeqësisht në ato ditë, jo të gjithë e kuptuan çfarë elemente diabolike fshiheshin mbas atyre protestave, sa larg synonin qëllimet e tyre kriminale, çfarë dëmi të pallogaritshëm po i krijohej vendit. Koha, më tej sqaroi shumë gjëra, i nxori ato në sipërfaqe dhe i bëri të lexueshme për shumicën e njerëzve. Çuditërisht, sot po shohim përsëri po ata arkitektë të mobilizuar ethshëm në veprën e tyre, por duke mos kuptuar se tashmë janë krejt jashtë kohe, se ajo në këto vite ka punuar kundër tyre dhe aktualisht nuk impresionojnë më askënd. Dhe pikërisht në këtë erë të re demokracie, ata vetë e ndjejnë pak fuqinë e tyre, e kuptojnë se baza politike e ideologjike e trashëguar nga regjimi komunist, tejet aktive në ngjarjet e 1997, nuk është më e mjaftueshme për të tilla ndërmarrje. Prandaj ata sot kërkojnë shumë më tepër se dikur, të bashkëjetojnë e bashkëpunojnë me struktura të tjera, që në esencë kanë të njëjtat qëllime e interesa. Këto tashmë përbëjnë kolonën mbështetëse, partnerin e tyre kryesor e të vendosur, apo dhe jo rrallë, vendimmarrësin e tyre. Këto kolona qartësisht janë të lidhura me krimin, grupet e ekonomisë së zezë, evazionin fiskal, kontrabandën. Me pak fjalë tentohet të mblidhen të gjithë ata, që kanë realizuar përfitime të paligjshme, që janë rritur në këtë mënyrë dhe që duan me çdo kusht të ruajnë një ambjent të turbullt, pa rregulla dhe transparencë, sa më larg integrimit e ligjit, si të vetmen mundësi përfitimi e pushteti. Kjo bashkëjetesë pa dyshim krijon një konglomerat të politikës së zezë me financat e zeza, të ideologjisë revanshiste me grupet kriminale, të aventurizmit revolucionar me dominimin e keqbërësve financiarë. Dhe ky grupim i ndërthurur në këtë mënyrë, ka krijuar brenda tij fije të shumta influencash, dominimesh, urdhëruesish e zbatuesish, të fshehta e të dukshme, duke bërë që në këtë mënyrë, një forcë politike t'i ngjajë më shumë një sekti, se sa një partie të një vendi demokratik. Kjo është e vërteta e burimi i të gjitha të këqijave për PS e ditëve të sotme. Kjo tabllo aspak optimiste e largon atë forcë, së tepërmi, nga mundësia e vendimeve demokratike, nga arsyetimi demokratik, nga perceptimi real i fenomeneve e ngjarjeve, duke krijuar kështu një mënyrë perceptimi krejt vicioz e të ngushtë, në funksion të një grupi të vetëm. Dhe ky grup sa më shumë dështon në marrëdhëniet me ambientin rrethues, aq me kontraktues bëhet, aq më hermetikisht mbyllet, aq me destruktiv paraqitet në veprimet e tij. Mbyllja e tij në një tunel pa dalje, errësira e thellë aty, mungesa e perspektives, frika e humbjes së përfitimeve të pa ligjshme, veçse e fusin këtë parti në një qark të mbyllur, duke shtuar iracionalitetin, e ngurtësuar më tepër në pozitat e saj. Dialogu me atë, në këtë mënyrë, për sa kohë vazhdon të ngujohet në atë tunel, bëhet çdo ditë e më i pamundshëm. Ndryshimi i brendshëm në atë ambient politik sa vetëm vështirësohet. Pas çdo hapi në thellësi të tunelit arsyetimi është më plastik e çlirimi i tyre nga ai dominim, që i ka furur në këtë aventurë, veçse largohet. Pra pas çdo dite përpjekjet e brendshme për ndryshim duhen shumëfishuar për të sjellë ndryshime. Pas çdo dite presioni i institucioneve të brendshme apo të jashtme duhet rritur. Pra është esenciale që askush mos të ketë iluzione për vetë korrigjim të shpejtë. Ndryshimi do të vijë vetëm si pasojë e presionit të fortë mbi atë, nga disa drejtime e kahe, nga masa racionale brenda saj, apo nga të gjithë ata të tjerë, që mund ta realizojnë atë. Vetëm forca e presionit mund ta nxjerrë nga tuneli. Ky është momenti më i përshtatshëm për të shtuar e koordinuar impenjimin politik e institucional në këtë drejtim. Kjo do të krijonte dhe kushtet reale për dialog të frytshëm, në ambientin e dialogut dhe jo në thellësi të tunelit. Në fund të fundit një forcë politike e tillë, shumë e rëndësishme për politikën e demokracinë shqiptare, nuk duhet e nuk mundet të lihet të shuhet dhe auto destruktohet në thellësi të atij tuneli, ku është futur, edhe n.q.s dikush në majën e saj dëshiron më mirë zvogëlimin gradual në errësirë, sesa zhvillimin rritës në hapësirë. Jo pak janë ata që drita e transparenca i shqetëson më shumë sesa mbyllja në mes të një tuneli. Kjo nuk duhet harruar.Â

KOMENTE