English

Operacioni "Gambling 2" shtrihet dhe në Durrës, bllokohen lojëra fati

Durrës, 6 Dhjetor NOA - Operacioni policor i koduar me emrin "Gambling 2", u shtri gjatë 24 orëve të fundit edhe në qytetin e Durrësit dhe zonën e plazhit, duke bërë bllokimin e disa lojërave fati, informon korrespondenti i agjencisë NOA.

Aksioni u krye nga Seksioni Kundër Krimit Ekonomik mbështetur në Plan-Operacion e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit "Gambling 2", "Për goditjen e aktivitetit të paligjshëm të lojërave të fatit".

Agjentët kanë ushtruar kontrolle në disa subjekte ku rezultuan dy raste të ushtrimit të aktivitetit të paligjshëm të lojërave të fatit.

Ndaj policia nisi procedimin penal në gjendje të lirë në ngarkim të 41-vjeçarit Bardhyl Belegu, lindur dhe banues në lagjen nr 1 Durrës.

Procedimi penal në ngarkim të Belegut filloi për veprën penale të "Organizimit të lotarive të palejuara "dhe "Vënia në dispozicion i lokaleve për lojëra të palejuara".

Gjatë kontrollit të ushtruar në ambientet e lokalit "Bet 07" në rrugën "A Goga" në afërsi të Spitalit iu gjetën gjashtë makineta lojërash nga të cilat tre, Mega Jack, dhe tre të tipit Draë Poker pa certifikatën e dokumentacionin përkatës dhe të palicencuara, ndaj dhe aro u sekuestruan.

Po ashtu, policia procedoi penalisht në liri, edhe 35-vjeçarin Roland Zisi, lindur dhe banues në lagjen Nr. 5 Durrës, për të njëjtat vepra penale.

Nga kontrolli që u krye në lokalin e tij "Loto Sport" pranë banesës, iu gjetën pesë makineta "Apex" pa certifikatën dhe dokumentacionin përkatës dhe të palicencuara në fushën e ushtrimit të këtij aktiviteti ndaj edhe ato u sekuestruan.

a.a./e.r/NOA

KOMENTE