Në të njëjtën kohë me projektet për shkallëzim protestash në janar, duke i shtrirë ato në Tiranë dhe rrethe, ka edhe një projekt të përkrahur jo pak nga grupi Parlamentar i Partisë Socialiste, për të pranuar futjen e tyre në Parlament dhe dhënë fund kështu bojkotit disa mujor
Tiranë, 6 Dhjetor NOA - Furia e protestave të ditëve të fundit duket se të paktën për disa ditë ka reshtur pasi Kryetari i Partisë Socialiste niset drejt Çekisë, ku në datat 7 dhe 8 dhjetor mbahet në kryeqytetin Pragë, Kongresi i 8-të i Partive të Socialistëve Evropianë.
Ky kongres, është dhe veprimtaria më e rëndësishme e socialistëve evropianë. Në të marrin pjesë të gjithë liderët e partive evropiane të majtë.
Partia Socialisten në këtë kongres përfaqësohet nga kryetari i saj Edi Rama dhe një sërë funksionarësh të lartë të kësaj partie.
Gjatë punimeve të Kongresit janë parashikuar takime me liderët kryesorë të internacionales socialiste, partisë së evropianëve socialistë dhe autoritete të tjera të larta të Evropës dhe rajonit.
Pritet që kryesocialisti Rama të diskutojë me aleatët e tij të matë ndërkombëtare, çështjen e bojkotit të Parlamentit të dalë nga zgjedhjet e përgjithshme të 28 qershorit, ende të kontestuara nga opozita.
Ndërkohë ashtu sikundër ka paralajmëruar edhe Rama dy ditë më parë në një intervistë televizive, muaji dhjetor pritet të mos ketë më protesta as nga opozita dhe as nga administrata e bashkive socialiste.
Rama pohoi se vala e protestave mund të rifillojë gjatë fillimit të vitit të ardhshëm kur edhe theksoi se do të ketë ndryshime të sigurta politike në vend.
Duket se afrimi i festave të fundvitit, që më së shumti i përqendron qytetarët drejt përgatitjeve për të kaluar sa më mirë Krishtlindjen dhe netët e ndërrimit të viteve, kanë bërë që socialistët të ndalin hëpërhë valën e protestave kundër qeverisë, ndërkohë që ka disa plane për rifillimin e tyre.
Në të njëjtën kohë me projektet për shkallëzim protestash në janar, duke i shtrirë ato në Tiranë dhe rrethe, ka edhe një projekt të përkrahur jo pak nga grupi Parlamentar i Partisë Socialiste, për të pranuar futjen e tyre në Parlament dhe dhënë fund kështu bojkotit disa mujor.
Sipas Kushtetutës, dy data janë të mundshme për skadimin e afatit të ligjshëm gjashtë mujor të deputetëve për të mbajtur mandatin, 1 shkurti kur mbaron afati gjashtë mujor i shpalljes nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, të emrave të deputetëve fitues të zgjedhjeve të 28 qershorit dhe 7 marsi 2010, datë që përkon me gjashtë muaj nga nisja e punimeve të Parlamentit.
/a.r/e.r/NOA/