Duke e përdorur cilësorin "i ri" për shtetin, sa herë që përmenden institucionet, politikanët, diplomatët dhe funksionarët e tij, duke përdorur cilësorin "i ri" për shtetin, sa herë që përmenden vizitat e politikanëve dhe diplomatëve evropianë e botëror dhe sa herë që përmenden njohjet e shteteve evropiane e botërore, pra duke përdorur, përkatësisht, keqpërdorur, cilësorin "i ri" për shtetin, për çfarë do që ndodh në Kosovë, mediat e drejtuara nga pushteti politik, po tentojnë të krijojnë përfytyrim ekskluzivisht pozitiv, madje idealist, për këtë shtet
Nga Basri Kodra
Po t'i dëgjonte një i huaj - dikush që kurrë nuk ka shkelur në Kosovë - lajmet që i japin mediat tona për Kosovën dhe gjendjen në të, do të përftonte përshtypje krejtësisht të gabuar për realitetin të cilin ne e jetojmë. Përshtypja e qytetarit i cili s'e njeh këtë realitet nga afër shtrembërohet ngase mediat tona gjithnjë flasin gjuhën e porositur nga politika, politikë të cilën - s'do mend - e udhëheqin të mëdhenjtë ndërkombëtarë. Pavarësia e shpallur e Kosovës i rehabilitoi disi politikanët tanë bashkë me ata ndërkombëtarë, ngase kjo u dha mundësinë që ta shfrytëzonin shumë këtë ngjarje e cila, gjithsesi, do të pasqyrohej edhe në gjuhën me të cilën do të vazhdohej t'i flitej popullit.
Kështu për shembull, tani, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, Kryetari i Kosovës nuk do të jetë më vetëm Kryetar i Kosovës, por Kryetar i shtetit më të ri në botë - i Republikës së Kosovës; Njëjtë edhe për Kryeministrin - Kryeministër i shteti më të ri në botë. Tani, pas shpalljes së pavarësisë, edhe ardhja e diplomatëve ndërkombëtarë në Kosovë do të quhet si vizitë e filan politikanit, diplomatit a funksionarit evropianë a botërorë në "shtetin më të ri në botë". 63 shtetet që e kanë njohur Kosovën deri më tani, të gjitha këto e kanë njohur "shtetin më të ri në botë" si shtet të pavarur. Mund ta merrni me mend se sa shumë herë është shqiptuar shprehja "shteti më i ri në botë" në mediat tona, prej 17 shkurtit 2007 e këndej, sa që edhe njeriut më mosbesues të botës do t'i tundohet jo pak dyshimi, nga fuqia që kanë provuar t'i japin kësaj shprehje përmes mbiemrit cilësor "i ri" dhe ngarkesës mbishquarse "në botë", projektuesit dhe propaganduesit e shtetit më të ri të botës.
Duke e përdorur cilësorin "i ri" për shtetin, sa herë që përmenden institucionet, politikanët, diplomatët dhe funksionarët e tij, duke përdorur cilësorin "i ri" për shtetin, sa herë që përmenden vizitat e politikanëve dhe diplomatëve evropianë e botëror dhe sa herë që përmenden njohjet e shteteve evropiane e botërore, pra duke përdorur, përkatësisht, keqpërdorur, cilësorin "i ri" për shtetin, për çfarë do që ndodh në Kosovë, mediat e drejtuara nga pushteti politik, po tentojnë të krijojnë përfytyrim ekskluzivisht pozitiv, madje idealist, për këtë shtet. Në vend se të flasin më zëshëm dhe me një gjuhë më koherente për defektet që në lindje të këtij "shteti të ri" në njërën anë, dhe për problemet që ka ky shtet nga mungesa e sovranitetit dhe e pushtetit mbi territor në anën tjetër, ato flasin me një lloj idealizmi romantik të tejkaluar për fëmijërinë e lumtur të këtij shteti. Duke përdorur aq dendur shprehjen "shtet i ri" duan të krijojnë përshtypjen se gjithçka që ndodhet në brendi të këtij shteti dhe gjithçka që ka të bëjë më këtë shtet, është gjë e mirë, e bukur, pozitive dhe gjithsesi me perspektivë të sigurt. Qëllimisht harrojnë se shteti i ri nuk është si njeriu i ri apo si një vegël e re, makinë e re, e kështu me radhë, por është e kundërta e këtyre, dhe se shteti i ri ka përpara sfida të mëdha të cilat shtetet e vjetra ose i kanë tejkaluar, ose kanë mbetur peng të tyre. Kanë harruar gjithashtu se një shtet nuk ua ofron sigurinë dhe lumturinë qytetarëve të vet në varësi nga fakti se sa i ri apo i vjetër është ai, por nga fakti se sa funksional është në marrëdhënie me qytetarin, sa demokratik dhe ligjor është në aspekt të funksionimit institucional, dhe se sa është i pavarur politikisht dhe i fuqishëm ekonomikisht.
Nuk ka dyshim se qëllimi i propaganduesve të shtetit multietnik të Ahtisaar-it (me ç' rast mbi 90% të popullsisë së këtij shteti u zhveshën nga trashëgimia e tyre kulturore dhe kombëtare, duke mos ua njohur flamurin, himnin e historinë, e duke e orientuar atë në drejtime krejtësisht tjera për dobi të një shtrese politikanësh) është që këtyre qytetarëve t'u krijohet ndjenja e krenarisë ngase shteti i tyre është i pari në botë, në mos për gjë tjetër, atëherë për "rininë" e tij. Theksimi banal i shprehjes "shteti më i ri në botë", me të cilën për çdo ditë torturohen dëgjuesit e mediave tona, u shërben politikanëve për të përkthyer drojën e qytetarëve, si nga vështirësitë që mund të ketë ky shtet në konsolidimin e tij, po ashtu edhe nga padrejtësitë në vetë përcaktimin e statusit të këtij shteti - në krenarinë e të qenit pjesëtar i këtij shteti - më të riut në botë. Por, ç'është shteti, në fund të fundit? Ai nuk është një ide qiellore, por një marrëveshje midis qytetarëve dhe pushtetit - thoshte Rusoi. E ne nuk mund të krenohemi me këtë shtet i cili është bërë pa kurrfarë marrëveshje me qytetarin, madje, në mosmarrëveshje me te.
Nëse mund të flasim për krenarinë e një populli në aspekt të shtet-ndërtimit, atëherë mund të themi se, krenaria, më shumë ka të bëjë me shtetin e vjetër se sa me shtetin e ri. Sa më i vjetër të jetë shteti kombëtar, aq më shumë ka arsye të jetë krenar populli i tij. Ndërkaq, në rastin tonë, ne, jo që nuk mund të jemi krenar për datën zyrtare të krijimit të shtetit, por duhet të jemi të shqetësuar për formatin e këtij shteti. Ne mund të jemi krenar për përpjekjet e herëpashershme për të mos iu nënshtruar Serbisë, për të mos u tjetërsuar kulturalisht e kombëtarisht, për luftën që bëmë për shkëputje nga Serbia dhe bashkim me Shqipërinë, e të tjera si këto, por ne nuk mund të jemi kurrsesi krenar për paqen e sotme që po mbjell luftën e ardhshme, për përpjekjen e sotshme që do të mund të sjell tjetërsimin kulturor dhe kombëtar të nesërm. Ne mund të jemi krenar për përpjekjet stërgjyshërve dhe gjyshërve tanë për ta bërë Shqipërinë, por nuk mund të jemi krenar kurrsesi për përpjekjet e tanishme të një shtrese njerëzish për të mos e bërë Shqipërinë.
Dhe kjo është shumë e thjeshtë: populli shqiptar në Kosovë nuk mund të jetë krenar me shtetin e tij, sado që ai mund të jetë "më i riu në botë", kur ky shtet, përveç tjerash, nuk e organizon as kremtimin e Ditës së Flamurit, 28 Nëntori - ditës së themelimit të shteti shqiptar. Ka qindra arsye të tjera pse populli më i vjetër në Ballkan nuk mund të krenohet me "shtetin më të ri në botë"…