English

Berisha: Atë që pësuan bandat do të pësojnë dhe klanet e mafies, do ti shkatërroj

Tiranë, 7 dhjetor NOA - Kryeministri, Sali Berisha ka deklaruar sot se në Shqipëri u shemb muri i krimit të organizuar, por sërish ka probleme serioze me mafien.

Këtë deklaratë Berisha e bëri gjatë punimeve të konferencës rajonale 2-ditore me temë "Forcimi i Bashkëpunimit në Fushën e Sigurisë për një Anëtarësim të shpejtë të Evropës Juglindore në BE", e organizuar nga Kuvendi i Shqipërisë, në ambientet e hotel Tirana International.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Kryeministri Berisha u shpreh se lufta kundër krimit dhe organizatave kriminale ka qenë dhe vazhdon të jetë përparësi madhore për qeverinë, ndaj dhe pas ardhjes në pushtet, në vitin 2005, qeveria i shpalli atyre luftë me zero tolerancë. "Lufta jonë me zero tolerancë kundër bandave, disa prej të cilave më të rrezikshmen në Ballkan dhe më gjerë, dëshmoi se në prani të vullnetit të hekurt politik, në asnjë rast dhe në asnjë rrethane, ato nuk mund t'i rezistojnë ligjit", u shpreh Kryeministri Berisha.

Gjithashtu, Kryeministri vlerësoi se çështja e sigurisë nuk kërkon zgjidhje vetëm në plan kombëtar, por duhen zgjidhje edhe në plan rajonal.

Duke iu referuar bashkëpunimit rajonal, Kryeministri u shpreh se duhet të kemi edhe ligje të njëjta kundër mafies, në mënyrë që mafiozët e goditur në Itali të mos mund të bëjnë transferta të pasurive të tyre në Shqipëri apo në vende të tjera.

"Ndonëse erdhëm në pushtet në një terren shumë të vështirë, në një vend në të cilin bandat dhe organizatat kriminale bënin ligjin në qytete, rrethe dhe institucione, i shpallëm atyre luftë me zero tolerancë. Lufta jonë me zero tolerancë kundër bandave, disa prej të cilave më të rrezikshmen në Ballkan dhe më gjerë, dëshmoi se në prani të vullnetit të hekurt politik ato, në asnjë rast dhe në asnjë rrethanë, nuk mund t'i rezistojnë ligjit. Në një hark të shkurtër kohor, prej 18 muajsh, u çmontuan më shumë se 206 banda e organizata kriminale dhe mbi 1000 anëtarë dhe bosë të tyre u identifikuan, u gjetën, u arrestuan dhe u vendosën para ligjit" deklaroi sot Berisha.

"Ne e shembëm murin e krimit të organizuar, por sërish kemi probleme serioze me mafien. Unë jam këtu për t'u zotuar se atë që pësuan bandat do të pësojnë dhe klanet e mafies. Këto ditë ne kemi miratuar një ligj të ri, i cili synon goditjen ligjore të krimit ekonomik të tyre. Në rast se nuk u shkatërrojmë ekonominë, lufta kundër mafies është vetëm iluzion. Lufta kundër mafies është një detyrim madhor ndaj qytetarëve tanë, ndaj partnerëve tanë, ndaj projektit të madh të kombit tonë për integrim në Bashkimin Evropian" tha më tej kryeministri.

k.k/NOA

KOMENTE