English

Dhuna në familje, rrëfimi rrëqethës i një gruaje: Ish-burri më rreh përsëri

Nga Blerina Ahmetaj

Tiranë, 7 dhjetor NOA - Prej një viti, Zhaneta Nuredini, 40 vjeçarja rome e divorcuar, nënë e 8 fëmijëve dy prej të cilëve të paralizuar, dhunohet sistematikisht nga ish bashkëshorti i saj i cili refuzon të pranojë vendimin e gjykatës për të dalë nga banesa ku jetonte me gruan e tij dikur.

Gruaja rome tregon se megjithëse ka një vendim të gjykatës për urdhër të menjëhershëm mbrojtje nga dhunuesi i tij Servet Jashari, që i referohet datës 18 maj të këtij viti, asnjë masë nuk është marrë deri tani as nga policia as nga zyra e përmbarimit e cila duhet të ekzekutojë vendimin e gjykatës.

"Kam tre vjet që kam bërë divorcin por ish bashkëshorti im s'pranon të dalë nga shtëpia. Unë jetoj në rrugën "Irfan Tomini" pranë kopshtit nr.45, në një banesë që ma ka dhënë bashkia, bashkë me tetë fëmijët. Ai më godet me grushte, ma përplas kokën pas murit, në kokë kam akoma mpiksje gjaku, shpesh herë kam shkuar në polici e nxire dhe e gjakosur nga rrahjet e tij, por I plotfuqishmi i lagjes nuk pranon të marrë masa ndaj tij. Ndonjëherë e marrin në komisariat e mbajnë 5 minuta dhe më pas e lëshojnë. Kur u them pse nuk më mbrojnë pasi kam një vendim gjykate për këtë, më thonë pse me ju do merremi ne?, thotë 40 vjeçarja.

Zhaneta tregon se gjithmonë sherri mes saj dhe ish burrit vjen pasi ai jo vetëm që nuk largohet nga shtëpia por ai kërkon të ushqehet me të ardhurat që gruaja nxjerr nga lypja në rrugë.

"Ai nuk më jep asnjë ndihmë, s'paguan pension për fëmijët por kërkon të ushqehet nga unë. Ku t'i gjej unë paratë, mezi ngop fëmijët e mi. Kur unë refuzoj t'i jap bukë ai më sulet dhe më godet me çtë ketë në dorë. Fëmijët qajnë dhe ulërasin e s'kanë ç'të bëjnë", thotë gruaja e dëshpëruar.

Dhuna fizike është aq e tmerrshme sa gruaja kërcënon se nëse shteti nuk merr masa ajo do ta vrasë ish burrin e saj.

Vendimi më i fundit i prokurorisë për shqyrtim të çështjes në ngarkim të ish bashkëshortit të Zhanetës, Servet Jashari, mban datën e 2 dhjetorit të këtij viti. Drejtuesi i prokurorisë Genti Xholi I kërkon gjykatës të nisë procedimin ndaj këtij shtetasi i cili po pengon vendimin e ekzekutimit të gjykatës për tu larguar nga banesa. Zhaneta vazhdon të trokasë çdo ditë në zyrën e Përmbarimit të Tiranës për të marrë mbrojtje por fjala e tyre është nesër, nesër. Gruaja rome, shpreson që nesër të mos jetë vonë.

b.m/NOA - blerina.ahmetaj@noa.al

KOMENTE