English

Kapet autori i vjedhjes së dyqanit "Eagle Mobile" dhe zyrës së PD-së në Rrëshen

Rrëshen, 7 dhjetor, NOA - Një dyqan "Eagle Mobile", një lokal bar-kafe si edhe zyra e Partisë Demokratike të Rrëshenit kanë qenë preja e vjedhjeve të organizuara mes dy bashkëpunëtorësh, prej të cilëve njëri tashmë është arrestuar nga policia.

Lajmi konfirmohet nga burimet e policisë së Lezhës për agjencinë e Lajmeve NOA, të cilat pohojnë se i arrestuari është 17-vjeçari M.Vorfi, lindur dhe banues në fshatin Geziq të Rrëshenit.

Nga veprimet hetimore rezulton se ai në bashkëpunim me 25-vjeçarin Ermal Biba, banues në qytetin e Lezhës kanë vjedhur mjediset e lartpërmendura në data të ndryshme.

Konkretisht, dyqani "Eagle Mobile" në qytetin e Rrëshenit është vjedhur në datën 13 nëntor, lokali bar-kafe në Rrëshen 6 ditë më pas, kurse zyra e PD në Rrëshen është vjedhur në datën 31 gusht të këtij viti.

Nga ana e policisë po punohet për dokumentimin e plotë të aktivitetit kriminal të autorëve, gjetjen dhe sekuestrimin e provave të tjera të vjedhura si edhe gjetjen dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të Ermal Bibës.

Materialet do t'i kalohen prokurorisë së Lezhës për veprën penale të "Vjedhjes", parashikuar nga neni 134 i Kodit Penal.

n.e/NOA

KOMENTE