English

Manifestimi i 8 Dhjetorit, PS: Qytetarët detyrohen me dhunë të marrin pjesë, po përdoren nxënësit

Tiranë, 7 dhjetor NOA - Deputeti i Partisë Socialiste, Fatmir Toçi, ka deklaruar sot para mediave se pranë PS-së kanë mbërritur shumë denoncime nga persona të ndryshëm të cilët janë nxitur me dhunë të marrin pjesë nesër në aktivitetin e qeverisë.

"Sot, një ditë para organizimit shtetëror të mitingut të 8 dhjetorit në Tiranë, me dhjetëra e qindra shtetas po denoncojnë pranë Partisë Socialiste dhunën dhe terrorin që po ushtrohet ndaj tyre për të marrë pjesë me detyrim në këtë manifestim, i ngjashëm për nga organizimi dhe pjesëmarrja me ato që bëheshin në kohën e diktaturës me rastin e 1 Majit dhe fesave të tjera kombëtare e partiake" tha Toçi.

Sipas deputetit socialist, me qindra ankesa, nga Vlora dhe qytetet e tjera të vendit, kanë ardhur e vazhdojnë të vijnë, jo vetëm nga punonjës të administratës shtetërore, por edhe nga nxënësit e prindërit e tyre, gjyshërit e të afërmit, për pezullimin e mësimit në ditën e nesërme dhe detyrimin që nxënësit e shkollave të mesme të bëjnë "ekskursion" në Tiranë, duke u kërkuar familjeve të tyre nga 1.000 lekë të reja për të paguar transportin.

"Nesër nuk është një festë kombëtare dhe as një ditë pushimi në kalendarin e festave zyrtare. Askush nuk ka të drejtë të pezullojë veprimtarinë zyrtare të një dite pune normale, në ndërmarrjet dhe institucionet shtetërore, aq me tepër pezullimin e mësimeve në shkollat e gjithë vendit.

Me shpenzime të pallogaritshme nga buxheti i shtetit, Tirana është e veshur e gjitha me blu, si në një ditë zije dhe jo me ngjyrat e simbolet kombëtare, për një datë që pretendohet që i përket të gjithë shqiptarëve dhe jo vetëm militantëve të Partisë Demokratike" tha më tej Toçi.

Deputeti i ka bërë thirrje ministrit të Arsimit dhe Shkencës që të parandalojë përdorimin e nxënësve, studentëve dhe trupës pedagogjike në manifestime të tilla partiake, ashtu siç është vepruar në mënyrë antiligjore në shumë raste edhe gjatë fushatës së zgjedhjeve të 28 qershorit. Raste që janë denoncuar në kohë nga Partia Socialiste, mediat e ndryshme, familjet dhe shoqëria shqiptare;

k.k/NOA

KOMENTE