Pragë, 7 Dhjetor NOA - Kryetari i Partisë Socialiste braktis sallën në të cilën zhvillohej Kongresi i Partisë Socialiste Evropiane gjatë fjalimit të kryetarit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta.
Pohimi është bërë para pak minutash nga z.Meta, zëvendëskryeministër dhe Ministër i Punëve të Jashtme.
Ai po merr pjesë ashtu si dhe Rama, në kongresin dyditor të socialistëve evropianë.
Z.Meta ka deklaruar se kryesia e Kongresit i dha të drejtën e fjalës kryetarit të PS Edi Rama që të fliste i pari dhe menjëherë pas tij edhe z.Meta në cilësinë e kryetarit të LSI.
Zv/kryeministri pohoi se ka dëgjuar deri në fund fjalimin e z.Rama dhe pas tij ai ka marrë fjalën.
Por në kot momente, në mënyrë demonstrative, sikundër thotë z.Meta, kryetari i PS është ngritur dhe ka dalë nga salla duke shpërfillur fjalimin e kryetarit të LSI.
Ky akt për z.Meta është konsideruar si i gabuar dhe në kontrast me respektin që ai vetë tregoi në kongres duke qëndruar atje deri në përfundim të fjalimit të Ramës.
Sakaq, Partia Socialiste njoftoi sot se në takimin e posaçëm që Kongresi i PES zhvilloi për çështjet e Ballkanit u  propozua një qëndrim të PES mbi zhvillimet politike në Shqipëri. Në dokumentin që mori pëlqimin e të gjithë të partive në tryezë thuhej se Partia e Socialistëve Europianë shpreh shqetësim të thellë në raport me krizën e demokracisë dhe të shtetit të së drejtës me të cilën përballet Shqipëria.
"PES i jep mbështetje të plotë qëndrimit të mbajtur nga Internacionalja Socialiste mbi krizën me të cilën përballet Shqipëria dhe thekson se "në Shqipëri demokracia  dhe duhet të rivendoset dhe kërkesat e Partisë Socialiste të Shqipërisë në lidhje me të gjitha shkeljet dhe parregullsitë gjatë zgjedhjeve të 28 qershorit duhet të mbështeten", - vijon deklarata.
Kongresi i PES i bën thirrje Kryeministrit të Shqipërisë dhe Koalicionit Qeverisës të respektojnë liritë dhe të drejtat kushtetuese, duke garantuar transparencë të plotë të zgjedhjeve parlamentare të 28 Qershorit, përmes një hetimi parlamentar që plotëson të gjitha kërkesat legjitime të Partisë Socialiste të Shqipërisë. Po ashtu, Kongresi i PES i bën thirrje Kryeministrit të Shqipërisë dhe Koalicionit Qeverisës të gjejnë një zgjidhje, e cila do t'i jepte fund krizës politike dhe do të mundësonte kthimin e Partisë Socialiste në Parlament.
Ndërkohë, PES mbështet angazhimin e Partisë Socialiste të Shqipërisë për të përshpejtuar procesin e liberalizimit të vizave dhe marrjen e statusit të vendit kandidat nga Shqipëria".
e.r/NOA