Tiranë, 7 dhjetor NOA - Policia e Shtetit ka vazhduar sërish operacionin për bllokimin e lojërave të fatit të paliçensuara.
Operacioni i koduar "Gambling 2" u zhvillua paralelisht në 12 qarqe të vendit ku u kontrolluan 260 subjekte të cilat zhvillonin aktivitetin e lojërave të fatit.
Policia e Shtetit bëri të ditur se në mbështetje të këtij operacioni janë angazhuar edhe strukturat e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe Njësisë së Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit.
"Gjatë këtij operacioni u kontrolluan 260 subjekte, të cilat zhvillonin aktivitetin e lojërave të fatit.
65 prej tyre rezultuan të paliçensuara nga organet përkatëse për ushtrimin e këtij aktiviteti, të cilët u proceduan penalisht në organin e prokurorisë për kryerjen e veprës penale të "Organizimit të lotarive të palejuara" dhe "Vënies në dispozicion të lokaleve për lojëra të palejuara" bazuar në nenet 197 dhe 198 të Kodit Penal" thuhej në deklaratën e Policisë së Shtetit lëshuar ditën e sotme.
Sipas policisë subjekteve të paliçensuara ju bllokuan ambientet ku ushtronin aktivitetin e paligjshëm, si dhe ju sekuestruan në total 401 makineri kompjuterike për zhvillimin e lojërave të fatit.
Policia ka çuar për ndjekje penale 66 persona pasi posedonin subjektet e paliçensuara.
k.k/NOA