Kopenhagen, 7 dhjetor, NOA - Lufta kundër ngrohjes globale do të jetë në qendër të një samiti të veçantë, i cili nis sot punimet në kryeqytetin e Danimarkës.
Mediat e huaja raportojnë se në këtë eveniment të madh ndërkombëtar do të jenë pjesëmarrës 192 anëtarë të Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe se punimet e tij do të vazhdojnë për plot 12 ditë, periudhë kjo e nevojshme sipas organizatorëve për të diskutuar mbi gjithë problematikën e ngrohjes globale që rrezikon botën.
Që të gjithë gjenden nën presion për të arritur një marrëveshje për të vendosur objektiva për kontrollimin e çlirimit të gazeve të dëmshme, por edhe për faktin se sa
vendet e pasura duhet të paguajnë për energji të pastër për vendet e varfra.
Bëhet me dijeni se pjesëmarrësit do të përpiqen të arrijnë një marrëveshje ndërkombëtare për reduktimin e gazeve të dëmshme që do të zëvendësonte Protokollin e Kjotos të vitit 1997, i cili skadon në vitin 2012.
Nga ana e tij, presidenti amerikan Obama ka vendosur të marrë pjesë në mbyllje të konferencës së OKB-së mbi klimën në Kopenhagen të Danimarkës, pasi sipas Shtëpisë së Bardhë, është bërë përparim i dukshëm drejt një marrëveshje konkrete.
n.e/NOA