English

Tentojnë të kalojnë ilegalisht drejt Greqisë një adoleshente, arrestohen tre persona

Gjirokastër, 7 dhjetor NOA - Tre persona janë arrestuar sot nga Policia e Gjirokastrës pasi tentuan të kalonin ilegalisht drejt Greqisë një adoleshente.

Specialistët për Hetimin e Krimit në Drejtorinë Rajonale për Kufirin dhe Migracionin Gjirokastër, kanë marrë informacion në rrugë operative se disa shtetas të cilët udhëtonin me një automjet tip Benz me targa TR 67 01 R, po tentonin të kalonin një shtetase në mënyrë të paligjshme nëpërmjet kufirit të gjelbër me shtetin Grek poshtë Pikës së Kalimit Kufitar Kakavijë.

Sektori i Hetimit të Krimit dispononte informacione të marra dhe më parë në rrugë operative se ky grup ushtronte aktivitetin e tij kriminal, nëpërmjet Pikës së Kalimit Kufitar Kakavijë dhe kufirit të gjelbër në afërsi të kësaj pikë.

Me tu konstatuar ky automjet është organizuar puna në bashkëpunim edhe me shërbimet e Policisë Kufitare Kakavijë për të mbajtur nën mbikëqyrje këtë automjet me qëllim kapjen e tyre në flagrancë.

Automjeti tip-Benz me traga TR 67 01 R, me drejtues shtetasin Agim Korra, është afruar në afërsi të pikës së Kalimit Kufitar Kakavijë ku është parkuar në një parkim afër kësaj pike.

Shërbimet e Policisë Kufitare e kanë mbajtur nën vëzhgim për të kontrolluar çdo lëvizje të tij, ku pas një ore nga ana e Specialistëve të Sektorit të Hetimit të Krimit në Drejtorinë Rajonale të Kufirit dhe Migracionit Gjirokastër është ndërhyrë dhe personat janë shoqëruar në ambientet e pikës së Kalimit Kufitar Kakavijë.

Nga kontrolli i automjetit rezultoi se në këtë automjet, përveç drejtuesit të automjetit ndodheshin dhe tre shtetas të tjerë, një mashkull dhe dy femra.

Nga verifikimi dhe intervistimi i tyre rezultoi se këta ishin një familje, burri me bashkëshorten dhe vajza e tyre, të cilët kishin ardhur me këtë automjet në Kakavijë për të nisur vajzën e tyre për në Greqi tek i fejuari, por që ishte e pa pajisur me dokumente dhe për këtë qëllim do kalonte kufirin në mënyrë të paligjshme.

Pas një pune të kryer nga policia u bë e mundur të zbardhej kjo ngjarje dhe të zbulohej i gjithë grupi i cili ushtronte aktivitetin e tij kriminal në fushën e trafikut të klandestinëve ku konkretisht për këtë rast do të kalonin për në shtetin Grek nëpërmjet kufirit të gjelbër në mënyrë të paligjshme kundrejt fitimit 2000 Euro shtetasen A.S, 17-vjeçe lindur dhe banuese në Tiranë, vajzën e çiftit të që ndodhej në automjet me prindërit.

Agim Korra, 54-vjeç lindur dhe banues në Tiranë, drejtues i automjetit tip Benz me traga TR 61 07 R, Ilirjan Lamçe, 52-vjeç dhe Rajmond Spiro,51-vjeç u arrestuan për veprën penale të "Dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit".

k.k/NOA

KOMENTE