English

Uithers: Në Shqipëri nuk respektohen ende të drejtat e njeriut. Korrupsion e media jo e lirë

Tiranë, 7 dhjetor, NOA - Raporti i të drejtave të fundit të njeriut i SHBA-ve për Shqipërinë prezanton një listë problemesh ende ekzistente në këtë vend që e shqetësojnë atë akoma, si korrupsioni, cungimi i lirisë së medias, diskriminimi racor dhe ai ndaj gay-ve etj.

Një fakt të tillë e ka përmendur sot gjatë një konference të organizuar në Tirane me organizatat dhe shoqatat e të drejtave të njeriut që janë mbledhur së bashku për të kujtuar Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, përfaqësuesi zyrtar i SHBA-ve në Shqipëri, John Uithers.

"Në vitin 1948 asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut. Deklarata përmban të drejtat bazë të njeriut siç janë ato ekonomine, sociale dhe humane. Disa prej tyre janë universale dhe nuk mund të justifikohen kurrë me traditën apo mënyrën e ekzistimit të shoqërisë deri në këto momente", tha me këtë rast Uithers.

Sipas tij, krizat ekonomike, pushtetet politike apo arsye të tjera janë përdorur deri më sot si shkaqe për të dhunuar të drejtat e njeriut.

"Por pavarësisht ekzistencës dhe rëndësisë së deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut, ka shumë vende në botë ku ende këto të drejta dhunohen", shtoi ai, duke përmendur edhe Shqipërinë mes tyre.

"Korrupsioni ende mbetet një çështje e hapur në Shqipëri. Sikundër, një çështje tjetër që ne e konsiderojmë si të rëndësishme është edhe pavarësia e gjyqësorit", tha Uithers lidhur me një fakt të tillë.

Por sipas tij, edhe liria e medias dhe trafikimi i qenieve njerëzore janë dy çështje të ngritura në raportin e të drejtave të njeriut për Shqipërinë.

"Diskriminimi racor ndaj komunitetit rom është ende i dukshem, por edhe ai ndaj personave homoseksualë, për të cilët përgëzojmë Berishën mbi sipërmarrjen e fundit ligjore", përfundoi fjalën e tij Uithers.

a.ymeraj/NOA

KOMENTE