Tiranë, 7 dhjetor NOA - Vetëvrasja e një të shoqëruari në dhomat e paraburgimit të Drejtorisë së Policisë së Durrësit, ka detyruar Institucioni i Avokatit të Popullit të zhvillojë një inspektim për zbardhjen e pretendimeve të hedhura nga familjarët e të ndjerit Klodian Bushi se ai u dhunua nga forcat e policisë.
Sipas një rekomandimi që Avokati i Popullit i ka nisur krerëve më të lartë të Policisë së Shtetit, gjatë inspektimit janë zbuluar një "mal" me mangësi gjatë punës së punonjësve të policisë që shoqëruan Bushin si dhe një mori mungesash të kushteve në ambientet e dhomave të paraburgimit në Drejtorinë e Policisë së Durrësit.
"Nga shqyrtimi i kësaj çështjeje rezultoi se nga informacionet e policisë, Klodian Bushi ishte autor i dyshuar i vjedhjes së një banese në qytetin e Durrësit, ndodhur në datën 09.11.2009, ku ishin vjedhur disa sende bizhuteri, disa prej të cilave ishin shitur nga bashkëshortja e tij në një dyqan që tregton sende floriri.
Nga Komisariati i Policisë Durrës ishte bërë referimi i veprës penale Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës dhe i është kërkuar prokurorit të çështjes thirrja e të dyshuarve dhe kryerja e veprimeve hetimore proceduriale, ndërmjet të tjerave edhe paraqitja për njohje e bashkëshortes së Klodianit.
Me miratimin e prokurorit, shtetasit Klodian e Gjulferie Bushi në datën 12.11.2009, rreth orës 16.00 u thirrën verbalisht nga punonjësit e policisë M. M., me detyrë specialist për hetimin e krimeve kundër pronës dhe A. L., me detyrë specialist i policisë së zonës, që të vinin në Komisariatin e Policisë.
Meqënëse Klodiani nuk ishte në banesë në kohën që shkuan punonjësit e policisë, këta i thanë bashkëshortes se tij që të paraqiteshin të dy në polici në kohën që Klodiani do të vinte në banesë.
Rreth orës 18.30 të datës 12.11.2009, shtetasit Klodian dhe Gjulferie Bushi, së bashku edhe me vajzën e tyre 5-vjeçe janë paraqitur në Komisariatin e Policisë Durrës.
Në polici ata janë pritur nga punonjësit e policisë M. M. dhe A. L.
Polici, M.M, Klodianin e ka lënë në korridorin e katit të parë të godinës së policisë, të ulur në karrige, ndërsa Gjulferien dhe vajzën e saj të vogël i ka futur në zyrën e tij, e cila ndodhej aty pranë dhe në prezencën e specialistit të policisë kriminale L. H. e ka pyetur atë me cilësinë e personit që tregon rrethanat e hetimit.
Në këtë kohë në polici ka ardhur edhe prokurori i çështjes S. N. i cili është njohur me materialet e administruara nga policia.
Meqenëse bashkëshortja e Klodianit dha të dhëna dhe prova të rëndësishme materiale në ngarkim të Klodianit, punonjësi i policisë M. M., ka dalë nga zyra dhe ia ka dhënë në dorëzim Klodianin punonjësit të policisë të informacionit të Komisariatit të Policisë Durrës, B. Gj. për ta shoqëruar e siguruar atë në ambientet e shoqërimit, duke i thënë se ai do të ndalohej.
Pasi i ka bërë kontrollin personal, B.Gj e ka shoqëruar Klodianin në dhomat e shoqërimit, të cilat ndodhen në katin e parë, prapa godinës së policisë.
Atij i ka lënë vetëm cigare dhe e ka mbyllur atë në këtë ambjent të pajisur me derë hekuri, shul e dryn, pa ndriçim elektrik dhe në errësirë të plotë (sqarojme se që kur janë rikontruktuar këto dhoma që para rreth dy vjetësh ato nuk kanë ndriçim elektrik). Këto dhoma janë pa stola apo karrige për të qëndruar ulur. Klodian Bushi ka qëndruar në ambientet e shoqërimit, punonjësi i policisë B.Gj e ka kontrolluar atë herë pas here kur kishte mundësi, dhe me kërkesën e tij i ka ndezur edhe cigare.
Rreth orës 20.00 B. Gj duke qenë rreth 10 metra larg dhomave të shoqërimit, ka dëgjuar zhurmë, goditje të derës së dhomave të shoqërimit.
Ai është afruar menjëherë atje dhe i ka thirrur Klodianit, por ai nuk është përgjigjur. Pastaj polici ka hapur derën me vështirësi dhe ka konstatuar që Klodiani ishte varur prapa derës me një rrobe, (benevreke) të cilën e kishte lidhur në qafë dhe krahun tjetër të saj në hekurat sipër derës.
Polici i ka ardhur në ndihmë menjëherë atij, duke e zgjidhur dhe nxjerrë jashtë në oborr dhe për këtë ka kërkuar edhe ndihmën e rojës që ishte aty pranë. Ata i kanë dhënë ndihmën e parë, duke i bërë frymëmarrje artificiale e veprime të tjera ndihmuese dhe dërguar menjëherë në spitalin e qytetit Durrës. Në spital Klodian Bushi është dërguar i gjallë, por megjithëse i është ofruar ndihma mjekësore, ai ka vdekur" thuhet me detaje në rekomandimin e institucionit të Avokatit të Popullit.
Për këtë ngjarje nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Durrës është filluar çështja penale dhe përveç veprimeve të tjera proceduriale është marrë edhe vendimi për kryerjen e ekspertimit mjekoligjor të Klodian Bushit.
Familjarët e të ndjerit kanë pretendime, se vetëvarjen i ndjeri e ka bërë për shkak të ushtrimit të dhunës fizike ndaj tij nga punonjësit e policisë, por deri tani nuk janë provuar pretendimet e tyre.
Avokati i Popullit sqaroi se nga hetimi që ka kryer dhomat e paraburgimit nuk plotësojnë kriteret dhe kushtet domosdoshme. Në dhomat e shoqërimit duhet të ishin vendosur stola, karrige apo pajisje të tjera për qëndrimin ulur të personave.
Mbajtja pastër, sigurimi i ajrimit e ndriçimit natyral në këto ambiente dhe krijimi i mundësive për të kryer nevoja personale në çdo kohë.
Në kundërshtim të hapur me urdhërimet e bëra më parë nga Avokati i Popullit drejtuesit e policisë së këtij organi nuk kanë marrë asnjë masë në zbatim të saj. Dhomat e shoqërimit të Komisariatit të Policisë Durrës janë jashtë çdo standardi të kërkuar.
Në këtë komisariat nuk ka tre dhoma shoqërimi sikurse parashikon por ka vetëm dy dhoma shoqërimi, një korridor dhe një banjo të cilat janë në një ambjent të përbashkët dhe pa dyer ndarëse nga njëra-tjetra.
Derë nuk ka as banjoja dhe si pasojë e kësaj mangësie, kur ka dy ose më shumë persona të futur aty, ata janë të detyruar që të kryejnë nevojat personale në prezencë të njëri-tjetrit.
Dhomat mbyllen nga një derë e jashtme prej hekuri e cila është e pajisur me shul e dryn. Ato nuk kanë përmasat e duhura, nuk kanë ajrim, janë pa ndriçim natyral dhe akoma me keq janë edhe pa ndriçim elektrik errësirë e plotë gjatë natës, janë të pa pajisur me stola apo karrige për të qëndruar ulur të shoqëruarit.
"Duhet të theksojmë se drejtuesit e këtij organi i kanë deklaruar ekipeve tona inspektuese, se i kanë hequr ato dhoma nga përdorimi dhe se të shoqëruarit i mbajnë në korridorin e godinës. Mirëpo, ngjarja e ndodhur dhe hetimi ynë provoi se, në fakt ato janë në përdorim dhe se drejtuesit e këtij organi nuk janë treguar të sinqertë me institucionin tonë.
Avokati i Populli ka konstatuar edhe shumë mangësi të tjera në këtë drejtori si dhe shumë mangësi të dy punonjësve të policisë që u morën me shoqërimin e të ndjerit Klodian Bushi duke u nisur që nga thirrja e tij në komisarit duke i thanë se duhet të paraqitet për çështje pune.
Ndërkohë që Avokati i Popullit ka rekomanduar me një sërë urdhrash krerët e policisë së Shtetit duke u nisur që nga analizimi i vetëvrasjes së Klodina Bushit dhe deri marrjen e masave për rregullimin e dhomave të paraburgimit brenda standardeve.
k.k/NOA