Misionet ndërkombëtare në Kosovë, edhe pas pavarësisë së vendit, vazhdojnë të jenë imune ndaj ligjeve kosovare. Misioni evropian për sundimin e ligjit zotohet se do të japë llogari për veprimet e tij përballë kosovarëve. Por, aktivistë për të drejtat e njeriut dyshojnë se do të ndodhë kjo
Albana Isufi*
Bashkimi Evropian, ditë më parë, ka vendosur të themelojë panelin e shqyrtimit të të drejtave të njeriut për EULEX-in në Kosovë, i cili do të shqyrtojë ankesat e personave, grupeve apo institucioneve që mund të pohojnë se misioni evropian i ka shkelur të drejtat gjatë zbatimit të mandatit. Pas këtij vendimi, EULEX-i është zotuar se do të jetë llogaridhënës, jo vetëm para qytetarëve të Kosovës, por edhe ndaj qytetarëve të Bashkimit Evropian. Por, imuniteti që EULEX-i gëzon ndaj proceseve ligjore dhe administrative vendore, sipas aktivistëve për të drejtat e njeriut, lë në hije këto zotime. Njëri nga aktivistët kosovarë, Shkëlzen Gashi, thotë se imuniteti që ka gëzuar UNMIK-u, KFOR-i e tash EULEX-i, cenon të drejtat e njeriut.Â
"Cenohen fundamentalisht, sepse vetë fakti që këto misione kanë të drejtë të marrin vendime për këta qytetarë e për këtë popull, pa e pyetur këtë popull dhe në kundërshtim me interesat e tij, tregon se cenohen jashtëzakonisht shumë",shprehet Gashi. Kohë më parë, Komisionari për të Drejtat e Njeriut në Këshillin e Evropës, Tomas Hamarberg, ka kërkuar nga EULEX-i që të rrisë përgjegjshmërinë ndaj qytetarëve të Kosovës, sepse, siç është shprehur Hamarberg, "çdo organizatë ndërkombëtare që vepron si kuazi-qeveri, duhet të mbahet përgjegjëse". Por, zëdhënësja e EULEX-it, Karin Limdal, thotë se misioni evropian ka përgjegjshmëri ndaj qytetarëve të vendit. Ajo e mbështet këtë në faktin se misioni mund të heqë lehtë imunitetin, nëse dikush nga stafi i tij shkel ligjet kosovare.Â
"EULEX-it i është dhënë imuniteti ndaj legjislacionit lokal. Kjo është në përputhje me misionet tjera diplomatike në botë. Ligjet vendore nuk mund të kenë efekt kundër stafit të EULEX-it, por me rëndësi është që ne e respektojmë legjislacionin lokal". "Nëse një anëtar i EULEX-it shkel ligjin lokal, ligjin e Kosovës, imuniteti i tij mund të hiqet dhe personi do të përgjigjet penalisht në shtetin amë", thotë Limdal. Por, kosovarët kanë përvojë të hidhur me administratën e Kombeve të Bashkuara. Avokati i Popullit, Sami Kurteshi, thotë se jo të gjitha shtetet që kanë personelin në misionet në Kosovë, ndjekin penalisht ata që i shkelin ligjet kosovare. Kurteshi merr shembull vrasjen e dy protestuesve në protestat e Lëvizjes Vetëvendosje në vitin 2007 nga kontingjenti rumun i policisë. Askush nuk është dënuar në lidhje me këtë rast. "Po të shikohet realisht secili person që përfaqëson një shtet të caktuar, ata duhet të jenë përgjegjës për veprimet e tyre pranë institucioneve e gjykatave të tyre. Kjo, mandej, është një laramani shumë e madhe, sepse jo të gjitha shtetet kanë kritere të njëjta për përgjegjësitë që kanë përfaqësuesit e tyre në misione të ndryshme". "Ne kemi rastin e protestuesve dhe ende sot nuk ka ndonjë përgjegjësi të kryerësve të veprave", shprehet Kurteshi. Megjithatë, avokati Kurteshi thotë se misioni i OKB-së ndryshon nga ai i EULEX-it, meqë ky i fundit ka funksione të kufizuara ekzekutive, rrjedhimisht edhe më pak hapësirë për të shkelur të drejtat e njeriut.Â
"EULEX-i ka një mision tjetër dhe kjo shkakton pak kokëçarje, shkakton pak huti te njerëzit, se EULEX-i është i koncentruar vetëm në disa drejtime - dogana, polici, gjyqësi. Nuk e ka atë forcën ekzekutive që e ka pasur UNMIK-u ose KFOR-i, edhe pse edhe EULEX-i e ka një imunitet". "Njerëzit që punojnë për EULEX-in, kanë imunitet kundruall ligjeve dhe institucioneve vendase; megjithatë, misioni i EULEX-it është shumë më i ngushtë", thekson Kurteshi. EULEX-i ka siguruar se "llogaridhënia është rrënjësore për këtë mision", duke cekur se misioni jep llogari ndaj popullit të Kosovës duke ofruar informacion transparent, apo ndaj autoriteteve politike duke mbajtur kontakte të rregullta. Por, sipas analistëve, kështu nuk ndodh edhe në praktikë. Një nga rastet, për çka është kritikuar EULEX-i se nuk ka dhënë llogari, ka qenë nënshkrimi i protokollit me Serbinë për bashkëpunim policor. Shkëlzen Gashi thotë se edhe në takimet që drejtuesit e misionit mbajnë me autoritetet kosovare, imponojnë atë agjendë që ata duan. "Ata ua imponojnë agjendën e tyre politikanëve të Kosovës", thotë Gashi. Ndërkaq, Avokati i Popullit thotë se që nga paslufta, llogaridhënia e pushtetit përballë qytetarëve ka qenë jashtëzakonisht e vogël. "Kjo ka qenë relativisht situatë e patolerueshme; për një shoqëri demokratike është e palejueshme. Mirëpo, ata i kanë caktuar ato kriteret e imunitetit vizavi institucioneve vendëse, por edhe qytetarëve të Kosovës", thotë Sami Kurteshi. Avokati Kurteshi thotë se në adresë të institucionit që ai drejton arrijnë ankesa të qytetarëve edhe për misionin evropian, sikurse edhe për vetë institucionet vendëse. Ndërsa UNMIK-ut i ka dhënë imunitet Rezoluta 1244, përfaqësuesve të EULEX-it e ICO-së imuniteti u është dhënë nga vetë institucionet. Kjo është specifikuar në propozimin gjithëpërfshirës për statusin e Kosovës, mbi bazë të të cilit është shpallur pavarësia e Kosovës.
(*) Radio Evropa e Lirë