English

Bashkia e Tiranës: Protestat tona do të vazhdojnë, policia të mos përdoret

Tiranë, 8 Dhjetor NOA - Nëpunësit civilë dhe punonjësit e Bashkisë së Tiranës, kërkojnë vëmendjen e opinionit publik shqiptar dhe ndërkombëtar, "mbi dhunën arbitrare të ushtruar mbi ne, gjatë protestës paqësore të zhvilluar më datë 5 dhjetor".

Albana Koçiu, drejtore e Drejtorisë së Përgjithshme të Menaxhimit të Shërbimeve

"Vajza dhe gra, nëna dhe motra, qytetare të thjeshta e të ndershme të këtij qyteti, për të cilin punojmë me përkushtim çdo ditë, prej vitesh, u trajtuam nga Policia e Shtetit si një grup vandalësh e anarshistësh, duke na u shkelur në dritën e diellit liria dhe e drejta jonë qytetare për të protestuar në mënyrë paqësore, në mbrojtje të të drejtave tona, të përcaktuara qartë prej Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë", - deklaroi Koçiu

Ajo më tej kujtoi faktin se Bashkia e Tiranës është institucion i popullit të Tiranës, i qytetareve dhe qytetarëve të tij, "ndaj ne protestojmë në emër të çdo të moshuari dhe fëmije, gruaje dhe burri, në emër të djemve dhe vajzave që kanë të drejtë të jetojnë në një metropol evropian dhe jo në një qytet pa liri, ku policia e Shtetit e cila paguhet nga taksapaguesit, tashmë e kthyer në një vegël të qeverisë, ushtron mbi ne dhunën më të paturpshme".

Duke përfunduar, Koçiu siguroi se do të vazhdojnë të protestojnë për të drejtat e pushtetit vendor, për lirinë tonë si qytetarë të ndershëm të këtij vendi, "ndaj i bëjmë thirrje Policisë së Shtetit të distancohet nga politika, dhuna dhe përdorimi i hapur që i bëhet asaj nga qeveria antidemokratike".

e.r/NOA

KOMENTE