Tiranë, 8 dhjetor NOA - Me argument pro dhe kundër vazhdon debati për kreun e Qendrës Kombëtare Kinematografike.
Të përfshirë në këtë debat janë katër shoqatat e kineastëve, emra dhe personalitete të kinematografisë, përfaqësues të artit dhe kulturës në vend.
Shoqatat i kanë propozuar Ministrit të Kulturës tri emra për kreun e ri të Qendrës Kombëtare Kinematografike.
Shoqata "Lumiere" me kryetar Kujtim Çashkun, Shoqata e Kineastëve e drejtuar nga Muharrem Fejzo, Shoqata e Filmit të Animuar dhe ai Dokumentar, vendosën që në Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të çohen emrat e Abdurrahim Myftiut, Bujar Kapexhiut dhe Eno Milkanit.
Një tjetër emër i shtohet atyre që kanë propozuar shoqatat e kineastëve për kreun e ardhshëm të Qendrës Kombëtare Kinematografike.
Pandi Laço ashtu si edhe Abdurrahim Myftiu, Bujar Kapexhiu dhe Eno Milkani i jepen ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ferdinand Xhaferri i cili do t'i propozojë vetëm dy kreut të qeverisë, ai që vendos dhe emëron se kush do të drejtojë Qendrën 4 vitet e ardhshme.
Shoqata tjetër e cila drejtohet nga Ndriçim Xhepa dhe ku bëjnë pjesë regjisorë e producentë si Gjergj Xhuvani, Artan Minarolli nuk ka paraqitur asnjë kandidaturë për këtë post.
Xhevdet Feri vazhdon të jetë në detyrë, me një urdhëresë të Ministrit të Kulturës, Ferdinand Xhaferri, deri në momentin kur ky i fundit të ketë propozuar dy kandidatura tek kryeministri që do të bëjë emërimin e pasardhësit të Ferit, ose Ferin vetë.
Ankesat dhe pakënaqësitë ndaj rizgjedhjes së Ferit në këtë post janë deklaruar jo vetëm në MTKRS por edhe në shtyp, sepse sipas shoqatave "Periudha 2005-2009 me Ferin kryetar, quhet një cikël i mbyllur".
Xhevdet Feri, edhe pse ka mbaruar mandatin e tij si Kryetar është komanduar edhe për pak kohë në krye të QKK-së. Burime flasin për një rikandidim të mundshëm të tij në këtë post.
m.s/NOA
Â