Në revistat shkencore pyetja tashmë nuk është nëse njeriu duhet të fajësohet për ngrohjen globale, por sa pak kohë na ka mbetur për t'i kufizuar dëmet. Deri më tani, përgjigjja e njerëzimit ka qenë e gjymtë dhe me gjysmë zemre
Nga "The Guardian"
Nëse nuk ndërmarrim veprime të fuqishme e të bashkërenduara, ndryshimet klimatike do ta rrënojnë planetin tonë, e bashkë me të edhe përparimin dhe sigurinë tonë. Rreziku ka nisur të bëhet i qartë për një gjeneratë të tërë. Tash, faktet kanë nisur të flasin. 11 nga 14 vjetët e fundit kanë qenë më të ngrohtët që kur njerëzimi nisi të mbajë shënime rreth temperaturave. Akujt e Arktikut nisën të shkrihen dhe vitin e kaluar çmimet e ushqimeve dhe të naftës arritën nivele rekorde. Në revistat shkencore pyetja tashmë nuk është nëse njeriu duhet të fajësohet për ngrohjen globale, por sa pak kohë na ka mbetur për t'i kufizuar dëmet. Deri më tani, përgjigjja e njerëzimit ka qenë e gjymtë dhe me gjysmë zemre. Ndryshimet klimatike janë shkaktuar nëpër shekuj, kurse pasojat e tyre do të zgjasin përgjithmonë, ndërsa mënyra e veprimit tonë për zbutjen e tyre do të varen nga 14 ditët e ardhshme. U bëjmë thirrje përfaqësuesve të 192 vendeve të mbledhur në Kopenhagë të mos hezitojnë, të mos humbasin kohë në debate, të mos e fajësojnë njëri-tjetrin, por të kapin momentin dhe mundësinë që ofrohet nga dështimi më i madh politik i kohërave moderne. Kjo nuk duhet të jetë një betejë mes të pasurve dhe të varfërve, apo mes lindjes dhe perëndimit. Ndryshimet klimatike na prekin të gjithëve, ndaj kjo çështje duhet të zgjidhet nga të gjithë. Shkenca është e komplikuar, por faktet janë të qarta. Bota duhet të marrë masa për ta kufizuar rritjen e temperaturës me 2 gradë, një qëllim i cili kërkon që lëshimi i gazrave në atmosferë të fillojë të ulet në 5-10 vjetët e ardhshëm. Një rritje më e madhe e temperaturave mesatare, në vlerë mesatare prej 3-4 gradë, do t'i përcëllonte kontinentet dhe do t'i kthente në shkretëtira hapësirat që sot janë toka bujqësore. Gjysma e të gjitha gjallesave do të mund të shfaroseshin, miliona njerëz do të mund të zhvendoseshin, kombe të tëra do të mund të përmbyteshin nga ujërat e deteve. Kontroversa me emailët e hulumtuesve britanikë, që bëri me dije se ata janë përpjekur t'i fshehin të dhënat e pakëndshme, i ka turbulluar ujërat, por nuk ia ka dalë ta shtypë sasinë e madhe të dëshmive mbi të cilat janë bazuar parashikimet. Të paktë janë ata që besojnë se në Kopenhagë do të kemi një marrëveshje tërësisht të lustruar. Përparimi i vërtetë drejt një marrëveshjeje të tillë do të mund të fillojë pas kthimit të Presidentit Obama në Shtëpinë e Bardhë, dhe rikuperimit nga vitet e obstruksionizmit të SHBA've. Edhe tash bota është në mëshirën e politikës vendore amerikane, pasi Presidenti nuk mund t'i përkushtohet plotësisht veprimit përderisa Kongresi të mos e miratojë një gjë të tillë. Por, politikanët në Kopenhagë mund dhe duhet të pajtohen për elementët bazë të një ujdie të ndershme dhe efektive. Më e rëndësishmja është që aty të përfshihen afate kohore të përcaktuara qartë dhe kjo ujdi të shndërrohet në pakt. Afati i fundit do të duhet të ishte qershori i vitit të ardhshëm, kur në Bonn do të mbahet takimi i UN'it për çështjet klimaterike. Siç tha një negociator: "Mund të luajmë edhe në vazhdime, por nuk kemi mundësi ta përsërisim ndeshjen". Në thelb të marrëveshjes duhet të jetë edhe ujdia për mënyrën e ndarjes së peshës së përballjes së ndryshimeve klimatike në mes të vendeve të pasura dhe atyre në zhvillim. Vendet e pasura, duke iu referuar një të vërtete aritmetike, mund të thonë se nuk ka marrëveshje derisa një gjigant në zhvillim e sipër si Kina të marrë përsipër hapa radikalë në krahasim me ata që ka bërë deri më tash. Mirëpo, bota e pasur është përgjegjëse për shumicën e karbonit të akumuluar në atmosferë - për tri të katërtat e gjithë dioksidit të karbonit të emituar që nga viti 1850. Në këtë kuptim, vendet e zhvilluara duhet të marrin udhëheqjen, derisa vendet në zhvillim të bëjnë zvogëlim të madh të gazrave të lëshuara në atmosferë. Vendet në zhvillim mund ta theksojnë se ato nuk e kanë krijuar trungun e problemit dhe rajonet e varfra e kanë pësuar më së keqi. Por, edhe ato do të kontribuojnë përherë e më shumë në ndotje, prandaj duhet të zotohen për një veprim domethënës dhe të matshëm. Drejtësia sociale kërkon që vendet e industrializuara t'i fusin duart në xhepa e të japin sasi të konsiderueshme parash për vendet më të varfra që ato t'u përshtaten ndryshimeve klimatike, kurse teknologjitë e pastra t'u mundësojnë atyre të rriten ekonomikisht pa shtuar sasinë e dioksidit të karbonit në hapësirë. Arkitektura e paktit të ardhshëm po ashtu duhet të qartësohet - monitorim rigoroz multilateral, shpërblime të drejta për mbrojtjen e pyjeve, dhe vlerësim të besueshëm të "emisioneve të eksportuara", ashtu që pesha të mund të ndahet në mënyrë proporcionale midis atyre që krijojnë ndotje dhe të tjerëve që i konsumojnë ato. Drejtësia kërkon që kur pesha të vendoset mbi shtetet e zhvilluara duhet ta kihet parasysh mundësia e tyre për ta duruar atë. Për shembull, anëtaret e reja të EU'së, shpesh shumë më të varfra se "Europa e Vjetër", nuk duhet të pësojnë më shumë se partnerët e tyre të pasur. Transformimi do të jetë i kushtueshëm, por asnjëherë nuk do të jetë më i shtrenjtë se paketat e ndihmave që iu paguan sistemit global financiar për të dalë nga kriza - do të jenë shumë më të lira se pasojat e të mosbërit asgjë. Duhet të ndryshojmë dhe mënyrën e të jetuarit duke ngrënë, blerë dhe udhëtuar në mënyrë më të mençur. Do të na duhet të paguajmë më shumë për energjinë që shpenzojmë, e të harxhojmë më pak energji. Por, zvogëlimi i sasisë së dioksidit të karbonit ofron më shumë mundësi se sakrifica. Disa vende tashmë e kanë parë se transformimi mund të sjellë rritje, vende të reja pune dhe një jetë më të mirë. Politikanët në Kopenhagë e kanë fuqinë ta formësojnë gjykimin e historisë për këtë gjeneratë - të asaj që e pa sfidën dhe u ballafaqua me të, ose të asaj që ishte aq e marrë sa që e pa afrimin e katastrofës, por nuk bëri asgjë për ta shmangur atë. Ne i përgjërojmë ata ta bëjnë zgjedhjen e duhur. (Ky editorial, i shkruar nga ekipi i "Guardian" në bashkëpunim me përfaqësuesit e 20 gazetave, është botuar në 56 gazeta botërore, 45 shtete dhe 20 gjuhë, mes tyre shqip)Â