Tiranë, 8 dhjetor NOA - Europol, zhvilloi sot në Shqipëri takimin e grupit të ekspertëve të Ballkanit Perëndimor "për falsifikimin e monedhave dhe Euros në veçanti".
Në ceremoninë e hapjes së këtij aktiviteti mori pjesë Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm për Hetimin e Krimit, Agron Kuliçaj.
Në këtë aktivitet marrin pjesë ekspertë të strukturave të policisë dhe prokurorisë së vendeve të Ballkanit si: Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina, Kroacia, Serbia, Mali i Zi e Maqedonia.
Po ashtu mori pjesë dhe Shefi i njësisë së Europol-it për goditjen e falsifikimit të monedhave, Diter Petracs, si dhe ekspertë të tjerë të kësaj njësie.Â
Qëllimi i këtij takimi është shkëmbimi i përvojës dhe eksperiencave më të mira të ekspertëve pjesëmarrës, si dhe forcimi i mëtejshëm i bashkëpunimit ndërmjet organizatave policore për ta parandaluar e goditur fenomenin e falsifikimit të monedhave dhe në veçanti të euros.
"Bashkëpunimi i Policisë së Shtetit me Europol-in vitet e fundit ka ardhur në rritje.
Këtë vit me plotësimin e detyrimeve tona si dhe dërgimit në Hagë të oficerit të parë shqiptar si ndërlidhës pranë Europol dhe nënshkrimi i marrëveshjes operacionale i kalon këto marrëdhënie në një stad më të lartë.
Falsifikimi i monedhave në përgjithësi dhe ai i Euros në veçanti është një fenomen që ndikon direkt në tërë ekonominë e shteteve evropiane. Shtimi dhe zgjerimi i vendeve anëtare të BE-së rrit njëkohësisht dhe rrezikun e prekjes së këtyre vendeve nga fenomeni i falsifikimit të euros.
Ndaj vlerësoj shumë këtë nismë të Europolit për organizimin e takimit të ekspertëve të vendeve tona, si një urë bashkëpunimi ndërmjet agjencive tona të zbatimit të ligjit për t'u përballur me këtë fenomen dhe për ta parandaluar dhe goditur atë" tha gjatë fjalës së tij Kuliçaj.
k.k/NOA