English

Kompania Edil-Al padit Kryeministrin Sali Berisha

Tiranë, 8 Dhjetor NOA - Kompania Edil Al ka shprehur shqetësimin e saj për klimën e krijuar "pas sulmeve te pabaza, tendencioze dhe te paskrupullta qe kryeministri i vendit, z. Sali Berisha dhe qeveria e tij po ndërmarrin ndaj saj".

Përmes një thirrjeje publike që iu shpërnda mediave, kompania Edil Al i drejtohet edhe Presidentit të Republikës, Trupit Diplomatik, organizmave në mbështetje të biznesit dhe institucioneve ndërkombëtare.

Ajo konsideron se "veprimi i qeverise shqiptare për të sulmuar një kompani private biznesi për kapital thellësisht politik, është një agresion i mirëfillte dhe një alarm i fortë për fatin qe ka demokracia ne Shqipëri".

Kompania Edil Al vë në dukje se "po sulmohet thjesht dhe vetëm se është bashkëaksionere ne media te pavarura, te cila nuk bëjnë pjesë në klanin e mediave të vëna nën kontrollin e rreptë politik të qeverisë".

Vizion Plus, Paketa dixhitale tring, Gazetat Albania dhe Korrieri kanë qenë dhe mbeten te pavarura, ne ruajtje te parimeve te mirëfillta profesionale, gjë e cila nuk i ka shkuar për shtat qeverisë, - vë në dukje kompania.

Ndaj, si ndëshkim ndaj këtij integriteti të mediave në të cilat Edil Al posedon aksione, - vijon deklarata zyrtare, - qeveria nuk ka pushuar përgjatë gjithë vitit 2008 të bëjë kontrolle te njëpasnjëshme financiare, si mjet i pastër presioni ndaj mediave të pavarura.

Duke qenë që prej themelimit një nga taksapaguesit më të mëdhenj në vend si biznes privat, Edil Al thekson se është përballur me këto presione me qetësi dhe transparencë. "Por edhe pse shteti nuk mundi te gjeje asgjë antiligjore gjatë gjithë kësaj periudhe kontrollesh, kjo nuk e ndryshoi qëllimin e kryeministrit për te dëmtuar kompaninë tonë", - thuhet në deklaratën për shtyp.

Prej disa muajsh, zoti Sali Berisha, ka nisur një fushate shpifjesh e trillimesh, përbaltje dhe akuzash te rreme ndaj Edil Al, duke dëmtuar rende interesat tona si dhe duke krijuar ne ambient bindjen se nëse nuk vihemi nen tutelën e klanit te tij qeverisës, do të shkatërrojë biznesin tonë", - vijon deklarata.

Përballë kësaj gjendjeje që kompania e cilëson si anormale, njofton se "ne kemi përgatitur një padi civile ndaj kryeministrit Sali Berisha, pasi imuniteti që posedon ky qeveritar, frenon gjykatën dhe prokurorinë të nisë çështje penale për këto shpifje dhe mashtrime monstruoze".

"Është i njëjti imunitet për te cilin me demagogji qeveria shqiptare thërret se nuk do ta përdorë në asnjë rast", - komenton kompania.

Më tej ajo vlerëson se në një "vend normal, këto akuza të rreme do të binin menjëherë, duke bere qe te frenohej kryeministri, që me lehtësi shpif për mijëra metra katrore dhe hapësira publike te shfrytëzuara gjoja prej nesh".

Në vijim të daljes publike, Kompania Edil Al deklaron se gjatë viteve 2006-2009 ka vetëm 21 mijë metra katrorë leje ndërtimi, te gjitha te aprovuara prej shumicës së djathtë në Këshillin Bashkiak.

"Edi Al nuk ka shfrytëzuar asnjë metër truall publik, kjo një tjetër shpifje e kryeministrit. Kompania jone qe nga themelimi deri më sot, në të gjitha kontrollet e ushtruara nga tatim taksat dhe institucionet e tjera fiskale, rezulton se i ka shlyer të gjitha detyrimet ndaj ligjit, përfshi dhe vitin 2008. Pra i gjithë ky presion dhe çdo përpjekje e mëtejshme në dem te kompanisë, është presion i pastër politik", - qartëson kompania.

Ajo vë në dukje edhe se "ky presion ka nisur dhe po përshkallëzohet prej mëse 2 vjetësh, fakt për këtë është se megjithëse janë plotësuar të gjitha procedurat e legalizimit, dosjet e kompanisë ngelen te bllokuara me urdhër nga lart ne hipoteke".

Për sa me sipër, - informon kompania, - disponojmë të gjitha faktet, provat dhe dëshmitë te cilave kryeministri ju fshihet prej imunitetit, materiale të cilat do të depozitohen në Gjykate.

Në përfundim të deklaratës, Edil Al bën apel edhe njëherë duke sugjeruar se qeveria duhet t'i japë fund presionit ndaj biznesit, dhe ta konsiderojë atë ashtu siç është, aset kombëtar.

Në familjen evropiane ku aspirojmë te bëjmë pjesë biznesi po merr nga qeveritë respektive gjithë mbështetjen e mundshme në këtë kohë krize. Ndërsa në Shqipëri, biznesmenët po quhen mafiozë, ndërsa ndaj bizneseve po krijohen Komisione të veçanta Kontrolli, te njëjta me ato që shpronësonin Kulakët, Borgjezet dhe Antikomunistët nga Enver Hoxha", - komentoi kompania.

e.r/e.l/NOA

KOMENTE