English

Marrëveshja e kufijve ujorë me Greqinë, sot merret në shqyrtim nga Kushtetuesja

Tiranë, 8 dhjetor, NOA - Pas javësh të tërë debati në nivel politik dhe ekspertësh, marrëveshja e kufijve ujorë mes Shqipërisë dhe Greqisë do të kalojë në "sitën" e Gjykatës Kushtetuese.

Ky institucion do të nisë sot shqyrtimin e kërkesës ankimore që i ka mbërritur në emër të kësaj marrëveshje nga Partia Socialiste si dhe përfaqësues të tjerë të opozitës, të cilët e kanë kritikuar atë.

Seanca e parashikuar të fillojë në orën 10:00 të paradites ka si të ftuar të saj  për të dhënë argumentet e tyre pro dhe kundër kësaj marrëveshje përfaqësues nga Presidenca, qeveria, Ministria e Mbrojtjes, por edhe ajo e Jashtme.

Ndërkaq, kjo marrëveshje gjendet në situatën e pezullimit të saj nga Kuvendi, për mosmiratim prej tij ndërsa ka mbetur e ngrirë në komisionet parlamentare pa mundur dot që të shkojë në seancë plenare për t'u ratifikuar si pasojë e një vendimi të marrë nga Kushtetuesja më 26 nëntor për pezullim.

Kjo deri në marrjen e një vendimi përfundimtar, pas shqyrtimit të kushtetueshmërisë dhe ligjshmërisë së saj, pas dëgjimit të gjitha argumenteve që palët janë përgatitur të paraqesin gjatë gjykimit të kësaj marrëveshje në Kushtetuese.

Gjithë debati që po zhvillohet është ndërtuar mbi bazën nëse kjo marrëveshje e shkel apo jo sovranitetin territorial të vendit tonë.

Nga ana e saj, qeveria përmes ekspertëve dhe institucioneve që kanë marrë pjesë në hartimin e saj e hedh poshtë këtë pretendim, ndërsa opozita përmes Partisë Socialiste dhe ekspertëve të saj nga ana tjetër pohon se ka cenim të hapur të tij.

n.e/NOA

KOMENTE