Elbasan, 8 dhjetor, NOA - Një 19-vjeçar që posedonte doza heroine ka mundur të bjerë në prangat e policisë në kuadër të operacionit të koduar "Finalizimi 7".
Lajmi bëhet me dijeni nga burimet policore të Elbasanit për agjencinë e Lajmeve NOA, sipas të cilëve i ndaluari është Ahmet Kushi, vjeç 19, lindur dhe banues në qytetin e Elbasanit.
Arrestimi i tij u bë pasi gjatë kontrollit personal të ushtruar nga ana e policisë atij iu
gjetën dhe iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale një pako e vogël transparente me një sasi prej 2 gram heroine.
Po kështu, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij iu gjend dhe iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale edhe një qese me peshë 234,4 gram që përmbante kanabis sativa dhe një pako heroninë prej 4 gramësh.
Materialet iu kaluan prokurorisë së Elbasanit për veprime të mëtejshme mbi veprën penale ‘Prodhimi dhe shitja e narkotikeve', e cila parashikohet nga neni 283 i Kodit Penal.
n.e/NOA