Tiranë, 8 dhjetor NOA - Zëdhënësja e Partisë Demokratike ka dalë sot në një deklaratë për shtyp me anë të së cilës i ka kërkuar kreu të opozitës të dalë publikisht dhe të kërkojë ndjesë për krimet e të atit dhe t'i dënojë ato.
"Pas familjarëve të të ndjerit Havzi Nela dje edhe Shoqata e të Përndjekurve Politik i kërkoi Edvin Ramës të kërkojë ndjesë publike për krimet e të atit dhe ti dënojë ato publikisht.
Po dje, një numër i konsiderueshëm shoqatash të mbrojtjes së të drejtave të grave dhe fëmijëve, në një protestë paqësore para bashkisë së Tiranës, i kërkuan Edvin Ramës të kërkojë ndjesë publike për dhunën dhe qëndrimin e tij ç'njerëzor ndaj njerëzve të familjes së tij, që siç faktohet nga dosja gjyqësore e botuar nga ndihmësi i tij kryesor aktual Ymer Baze, Rama i ka mohuar për 9 vite me radhë jo vetëm atësinë por edhe kafshatën e gojës djalit të tij si dhe ka rrahur, dhunuar e bërë për spital bashkëshorten e tij" tha zëdhënësja e PD-së, Erla Mëhilli.
"Të gjitha këto Edvin Kristaq Rama mendon se do ti kalojë në heshtje dhe me sa duket nuk gjen asnjë forcë për të shprehur pendesën më minimale e për të kërkuar ndjesë publike për aktet e tij të shëmtuara.
Rama aktet e tua të pashëmbullta ç'njerëzore nuk do mund të kalohen apo mbulohen kurrë me shpifje apo trillime të ulëta për të tjerët" përfundoi Mëhilli.
k.k/NOA