English

Përdorimi i pushtetit për hakmarrjet personale

Kryeministri Sali Berisha përsëriti sot fjalorin e tij agresiv mbi biznese të lidhura me opozitën dhe drejtues të medias kritike në vend, duke i cilësuar ata mafiozë dhe duke premtuar një betejë kundër tyre. Në qendër të sulmeve janë pronarë të mediave kritike si "Vizion Plus" apo "Shekulli", si dhe biznesmenë që janë deputetë të opozitës. Të njëjtën gjuhë Berisha ka përdorur tri vjet më parë edhe ndaj pronarit të "Top-Channel"-it duke e kërcënuar atë me një gjobë që shkonte deri në 11 milionë dollarë

Mero Baze*

Fushata frikësuese e kryeministrit Sali Berisha kundër botuesve të medieve kritike me të dhe disa biznesmenëve që janë deputetë të opozitës, po degradon dita ditës në një fjalor të pazakontë dhe gjoba arbitrare ndaj këtyre bizneseve. Pothuajse të gjithë emrat e lakuar nga kryeministri në publik, janë tashmë subjekte të gjobitura arbitrarisht. Ministri i Financave, Ridvan Bode, ka zhvilluar një takim thuajse sekret me drejtues kyç të tatimeve dhe u ka dorëzuar atyre një listë të këtyre bizneseve që duhet të gjobiten pa paralajmërim. Gjobat e para kanë mbërritur në dyert e këtyre kompanive, pa pasur asnjë arsyetim ligjor. Situata të kujton fillimin e vitit 2006, kur policia tatimore urdhëroi gjoba drastike që shkonin nga 11 deri në 18 milionë dollarë për kompanitë e biznesit të pronarit të televizionit "Top-Channel". Gjuha dhe etiketimet e Berishës janë po njësoj. Edhe atëherë Berisha akuzonte për mafiozë, për evazion fiskal, "Top-Kafe" kontrabandë, etj. Për fat të mirë falë presionit të publikut dhe faktorit ndërkombëtar ato gjoba nuk u ekzekutuan kurrë, por Berisha arriti ta shesë atë si një triumf të tij mbi medien kritike. E njëjta situatë po përsëritet dhe sot. Berisha po flet për mafiozë që kanë investuar në media dhe nuk përmend Zamir Manen dhe Aleksandër Frangajn, që janë modeli i përdorimit të pushtetit për përfitime të paligjshme. Berisha flet për mafiozë që po ndërtojnë në Tiranë, ndërsa Bashkim Ulaj, njeriu më i afërt i familjes së tij, ka marrë mbi 100 mijë metra katrorë leje ndërtimi për një vit. Berisha flet për deputetë biznesmenë të opozitës që janë mafiozë, ndërsa nuk përmend më as Uldedajn, as Kollozin, as Sterkajn, madje as edhe Nikolin Jakën që e ka arrestuar më parë për korrupsion dhe tani e ka të heshtur dhe pas tij në krye të Dhomës së Tregtisë së Tiranës. Kjo situatë e pashembullt e qëndrimeve të tij selektive, dhe e fokusimit të tij në mënyrë tërësisht arbitrare mbi pronarë mediesh kritike apo biznesmenë që janë deputetë të opozitës, po e kthejnë këtë kryeministër në një institucion shoqërisht të rrezikshëm, pasi po përdor pushtetin politik, për hakmarrje personale dhe familjare. Nga ana tjetër, Berisha po fut nën presion dhe gjithë institucionet e tjera që të mbrojnë teorinë e tij për kupolën punosto-mafioze siç e quan ai listën e zezë të bizneseve që ka vënë në shënjestër. Kryetari i Dhomës së Tregtisë në Tiranë, Nikolin Jaka, i sapoliruar nga burgu për korrupsion, nuk guxon më të ngrejë zërin kundër Sali Berishës në mbrojtje të biznesit, pasi nuk është më njeri i lirë. Kryetari i Dhomës së Tregtisë së gjithë Shqipërisë, Ilir Zhilla, ishte më shumë i shqetësuar kur u vu nën hetim Damir Fazlliçi dhe kunati i Lulëzim Bashës, se sa kur kryeministri anatemon gjithë bizneset e mëdha në vend, që kanë lidhje me opozitën apo medien kritike. Kjo situatë e krijuar nga dhunimi politik që kryeministri u bën institucioneve, po detyron këta biznesmenë t'i drejtohen gjykatës për të paditur kryeministrin si shpifës dhe përbaltës të biznesit të tyre. Edhe pse nuk jam shumë optimist se Berisha do shkelë ndonjë herë në dyert e gjykatave për t'u përballur me gënjeshtrat e tij, është mirë që së paku dikush të detyrojë këtë njeri të dëgjojë gënjeshtrat e veta, siç e detyroi dje Komisioni Evropian, të dëgjonte se si kishte gënjyer dhe shpifur publikisht edhe në emër të Evropës.

(*) Dërguar nga autori. Shkrimet e rubrikës "Opinion" nuk paraqesin qëndrimin redaksional të NOA-s

KOMENTE