English

Posterat për 8 Dhjetorin, Bashkia e Tiranës i vë 1 mijë euro gjobë qeverisë

Tiranë, 8 Dhjetor NOA - Bashkia e Tiranës ka gjobitur qeverinë me një shumë prej afro një mijë eurosh, për shkak të posterave që ka vendosur nëpër rrugët e kryeqytetit, që sipas vendorëve kanë shkaktuar ndotje mjedisore.

Vendimi i Bashkisë së Tiranës erdhi vetëm disa orë pasi Ministria e Mjedisit paditi dhe gjobiti këtë institucion vendor për ndotje të mjedisit me plehrat që hodhi nëpër rrugë gjatë protestës së të shtunës.

Hantin Bonati, drejtor i Drejtorisë së Kontrollit të Territorit Urban pohoi se kemi konstatuar që Këshilli i Ministrave në fushatën publicitare për organizimin e një eventi në sheshin "Skënderbej", ka përdorur në një masë të gjerë vendosjen e mbi 1 000 posterave nëpër pemët e qytetit, duke i dëmtuar ato dhe duke shkelur ligjin.

"Për këtë arsye, Bashkia e Tiranës do të procedojë me gjobitjen e subjektit juridik "Këshilli i Ministrave", me gjobë në vlerën 129 mijë lekë", - deklaroi Bonati.

Duke përforcuar këtë deklaratë, Bonati kumtoi: "Njoftohet subjekti në fjalë, se afatet e ankimimit janë 30 ditë nga vendosja e gjobës".

Ndërkohë, Bonati njoftoi dhe gjobitjen e Drejtorisë së Policisë së Tiranës, për ndotje të mjedisit:

"Bashkia e Tiranës në bazë të ligjit dhe Vendimit të Këshillit Bashkiak, do të procedojë me gjobitjen e Drejtorisë së Policisë së Tiranës, për ndotje të mjedisit, ndërsa Drejtoria Juridike është duke përgatitur kallëzimin penal për ushtrim dhune të jashtëligjshme nga ana e forcave policore", - tha Bonati.

Gjobën tonë, - vijoi ai, - e mbështesim me prova filmike dhe fotografike dhe nëse Ministria nuk i ka parë kronikat televizive, ne i vëmë në dispozicion një DVD, me të gjitha filmimet përkatëse, në mënyrë që gjobës së saj t'i ndryshojë destinacionin, kundrejt Policisë së Shtetit.

Reagimi i Bashkisë së Tiranës erdhi siç tha Bonati, "duke marr shkas nga deklarimi i Ministrisë së Mjedisit, lidhur me ndotjen dhe gjobën e vënë ndaj Bashkisë së Tiranës, gjatë protestës së pushtetit vendor ditën e shtunë".

Sipas Bonatit, "të vetmit ndotës në atë ditë kanë qenë forcat e Policisë së Shtetit, të cilët në mënyrë të dhunshme kanë marrë nga duart e punonjësve të Bashkisë qeset me mbeturina të cilat ishin element dekori i protestës sonë dhe i kanë hedhur nëpër rrugë e në skarpatet e Lanës".

e.l/NOA

KOMENTE