Teheran, 8 dhjetor, NOA - Shtetet e Bashkuara, Britania dhe grupi i të drejtave të njeriut "Amnesty International kanë dënuar me një zë të përbashkët atë që e kanë cilësuar si "shtypje policore" të protestës së studentëve në Iran.
Mijëra studentë kanë protestuar dje në këtë vend kundër udhëheqjes aktuale të Iranit, së bashku me përkrahësit e opozitës të cilët shfrytëzuan mitingun shtetëror në "ditën e studentit" për të zhvilluar demonstratat e tyre.
Aktivitetet më të mëdha të protestës u mbajtën në lagjen universitare në Teheran, ndërsa mijëra vetë thirrën "Poshtë Diktatori!" në territorin e universitetit, ndërsa të tjerë dogjën portete të udhëheqësit suprem iranian.
Por përdorimi i gazit lotsjellës dhe shkopinjve kundër mijëra demonstruesve që pushtuan rrugët në protesta kundër qeverisë nga forcat e sigurisë ka shkaktuar mjaft kritika nga ndërkombëtarët.
SHBA, Britania e Amnesty International e kanë dënuar reagimin e ashpër të policisë iraniane kundër protestuesve si një akt të dhunshëm dhe që duhej shmangur.
n.e/NOA