English

Shembja e pallatit, Qendro: Inspektoriati Kombëtar ndërhyrje të kundraligjshme

Tiranë, 8 dhjetor NOA - Kryeinspektori i policisë ndërtimore pranë bashkisë së Tiranës, Afrim Qëndro e ka quajtur të kundraligjshme shembjen e pallatit 12 katësh në qendër të Tiranës duke deklaruar se për këtë subjekt ka një leje ndërtimit të dhënë në përputhje me ligjin.

"Dua të bëj një sqarim të opinionit publik lidhur me ndërhyrjen flagrante dhe të kundraligjshme nga Inspektoriati Kombëtar në objektin pranë hotel "Tirana", duke sqaruar se në këtë zonë ka një studim urbanistik të miratuar nga KRRT e Bashkisë së Tiranës, me nr.vendimi 40, të datës 21.04.2001.

Në bazë të studimit, është miratuar dhe është dhënë leja e ndërtimit të këtij objekti, në përputhje me të gjitha ligjet e shtetit shqiptar, me vendimin nr.28 datë 27.10.2001. Ky objekt, në bazë të procedurave ligjore është regjistruar rregullisht në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, me vendimin nr.871. të datës 15.09.2005, pikërisht kur në Zyrën e Regjistrimit kanë qenë njerëzit e këtij Kryeministri" tha Qendro.

Sipas tij, veprimet e kryera nga Inspektoriati Kombëtar janë të kundraligjshme dhe në kundërshtim flagrant, me të drejtën mbi pronën, nga subjekti dhe nga qytetari përkatës. "Inspektoriati Kombëtar gënjen hapur kur thotë në vendimin e tij, që nuk ka leje ndërtimi dhe është në një zonë me rëndësi kombëtare.

Ky Inspektoriat ka përdorur forcën, duke shpërdoruar detyrën, në mënyrë të dhunshme dhe duke cënuar sigurinë dhe pronën e gjithsecilit prej nesh.

Ky Inspektoriat nuk respekton jo vetëm ligjet, por edhe vendimin që ka marrë Prokuroria, si organ kompetent për pushimin e ankesës, pushimin e çështjes, mbi bazën e një ankese që kanë bërë qytetarët dhe ky vendim prokurorie siglon me datën 01.04.2007 dhe citon se nuk ka gjetur asnjë shkelje, duke thënë se leja e ndërtimit dhënë nga Bashkia e Tiranës, është plotësisht e rregullt.

Inspektoriati Kombëtar nuk ka të drejtë, brenda territorit të Bashkisë Tiranë, të veprojë pa njoftuar Inspektoriatin Ndërtimor që e ka për detyrë ta bëjë këtë punë.

Jemi të indinjuar gjithashtu për ndërhyrjen e vazhdueshme dhe të përsëritur të këtij Inspektoriati brenda Tiranës. Mund t'ju kujtoj rastin e gropës së famshme në qendër të Tiranës" tha më tej Qendro.

k.k/NOA

Â

KOMENTE