Nga Milena Selimi
Tiranë, 8 dhjetor NOA - Vetëm 30 minuta përpara fillimit të mitingut që do të organizohet në sheshin "Skënderbej" ky shesh ka filluar të marrë pamjen festive.
Vihet re një pjesëmarrje e madhe e qytetarëve, mbështetësve të PD-së dhe rinisë, me flamuj kuq e zi në duar, flamuj të PD-së dhe të Bashkimit Evropian.
Shkallët e Pallatit të Kulturës janë mbushen nga qindra njerëz, po ashtu edhe hapësira përpara monumentit të Skënderbeut, ndërsa po fillon të zihet i gjithë sheshi.
Mes grupeve që kanë mbërritur në shesh vihen re banderola dhe pankarta, ku shkruhet "Shqipëria Evropiane".
Qytetarët po zënë vend për të kremtuar sot në orën 16.00, në një miting të jashtëzakonshëm të paralajmëruar, "Ditën e Rinisë" dhe vendosjen e pluralizmit politik në Shqipëri.
"Shqipëria Evropiane"-Ëndrra që ne bëjmë realitet, janë banderolat e vendosura përgjatë të gjithë bulevardit "Dëshmorët e Kombit", të cilat i japin një atmosferë festive kësaj dite të rëndësishme në historinë e Shqipërisë. Përpara monumentit të Skënderbeut janë instaluar tre monitorë të mëdhenj, të cilët, nga një skenë e improvizuar mendohet se do të presin jo vetëm kryeministrin e vendi, Sali Berisha, por njëherësh edhe shumë këngëtarë dhe grupe të muzikës moderne dhe alternative, duke i dhënë kësaj dite më shumë ngjyrim feste, sesa një mitingu politik.
Pritet të mos mungojnë në këtë koncert grupi shqiptar nga Tetova "Elita 5", që e ndoqën kryeministrin Berisha gjatë të gjithë fushatës për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Po ashtu në sheshin kryesor të kryeqytetit do të këndojnë edhe të tjerë këngëtarë të njohur, duke I mbyllur festimet e sotme në Pallatin e Kongreseve në orën 19.00.
Pa dyshim vend kryesor në këtë manifestim do të zërë mesazhi që do të përcjellë kryetari i Partisë Demokratike, kryeministri Sali Berisha.
Pritet që ai të flasë mbi lëvizjen studentore, e cila solli ndryshimin e madh në vend, rrëzimin e diktaturës më të egër komuniste. Kështu, thelbi i aktivitetit do të lidhet me simbolikën e rrëzimit të "Murit të Berlinit" në Shqipëri. Po ashtu në sheshin kryesor të kryeqytetit do të këndojnë edhe të tjerë këngëtarë të njohur.
Tubimi i ditës së sotme është vlerësuar shumë nga PD-ja. Prej disa kohësh kjo forcë politike ka shpërndarë në të gjithë vendin figura kryesore për të ftuar qytetarët të marrin pjesë në këtë miting.
m.s/NOA