"Po përballemi çdo ditë e më shumë me një gjuhë që qeveria po përdor në komunikimin publik, gjuhë e cila po e shtyn vendin drejt një vale urrejtjeje përmes deklaratave që tentojnë ta përshkruajnë opozitën si "një mafia që duhet shkatërruar" dhe si "një aleancë që po synon të bllokojë procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian"
Nga Edi Rama*
Faleminderit që më mundësuat të marr kohën time për t'u fokusuar edhe njëherë në lidhje me atë që përmenda fillimisht në lidhje me situatën e demokracisë në Shqipëri, në lidhje me vështirësitë gjithnjë e më të mëdha për opozitën, për median në Shqipëri, për biznesin që nuk është i lidhur me pushtetin, për shoqërinë civile e në lidhje me vështirësitë e kujtdo qytetari sot në Shqipëri, vështirësi që vijnë si pasojë e një procesi të kontestuar elektoral.
Ashtu siç edhe ju jeni tashmë në dijeni, unë do të doja të nënvizoja edhe njëherë para jush se për ne është shumë e rëndësishme që procesi i integrimit të Shqipërisë, - duke nisur nga procesi i liberalizimit të vizave e pastaj duke vijuar edhe me të gjitha hapat e tjerë që Shqipëria duhet të ndërmarrë në kuadër të statusit si kandidat për anëtarësimin në BE, - të mos vihet në pikëpyetje dhe të rrezikojë për shkak të degradimit të kriterit politik.
Ky pra është shqetësimi ynë i madh të cilin dua ta ngre sot këtu para jush. Është shumë e rëndësishme që në vende si Shqipëria që e ka shprehur tashmë vullnetin për të ecur në rrugën e integrimit, të garantohen të gjitha të drejtat, duke filluar sigurisht, që nga e drejta për të votuar lirisht e për të patur pas saj një numërim të drejtë të votave.
Dua t'ju sjell edhe njëherë në vëmendje raportimin që bëri pas procesit zgjedhor misioni monitorues i OSBE/ODHIR-it sipas të cilit 1/3 e procesit të numërimit shkoi keq ose/dhe shumë keq.
Një raportim i tillë është akoma më i rëndësishëm po të kemi parasysh se në vend votuan rreth 1.5 milionë njerëz dhe rezultati final u përcaktua nga jo më shumë se 25 mijë vota! Ajo që ne sot po kërkojmë, është që të kemi transparencë të plotë të këtij procesi jo me qëllim për të ripërcaktuar mandatet, por me të vetmin qëllim që të garantojmë proceset e ardhshme zgjedhore dhe të garantojmë funksionimin e të gjithë sistemit demokratik në vend.
Kjo kërkesë nuk pa patur asnjë përgjigje pozitive deri më sot nga koalicioni qeveritar. Në vend që ne të marrim garanci se proceset zgjedhore dhe i gjithë sistemi demokratik në Shqipëri nuk do të rrezikohen, po përballemi çdo ditë e më shumë me një përkeqësim gjithnjë e më të madh të standardeve demokratike duke filluar që nga gjuha që qeveria po përdor në komunikimin publik, gjuhë e cila po e shtyn vendin drejt një vale urrejtjeje përmes deklaratave që tentojnë ta përshkruajnë opozitën si "një mafia që duhet shkatërruar" dhe si "një aleancë që po synon të bllokojë procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian".
Arsyeja pse po e ngre këtë shqetësim ka të bëjë mbi të gjitha me faktin se ne nuk duam që kjo situatë të përshkallëzohet më shumë e nuk duam që të përballemi me një "deja vu" që e kemi përjetuar në të kaluarën.
(*) Nga fjala e mbajtur në Pragë