English

Vlorë, Prokuroria heton kreun e Bashkisë së Himarës, Vasillaq Bollano

Vlorë, 8 dhjetor NOA - Prokuroria e Vlorës ka çuar dje për ndjekje penale Vasillaq Bollano, me detyrë Kryetar i Këshillit të Rregullimit të Territorit pranë Bashkisë Himarë dhe njëkohësisht Kryetar i kësaj Bashkie.

Gjithashtu për ndjekje penale prokuroria ka dërguar edhe Polimer Ruçin, me detyrë Sekretar i Këshillit të Rregullimit të Territorit pranë Bashkisë Himarë dhe njëkohësisht Drejtor i Zyrës së Urbanistikës pranë kësaj Bashkie gjatë viteve 2005-2008, Leonard Hysi, me detyrë Sekretar i Këshillit të Rregullimit të Territorit pranë Bashkisë Himarë dhe njëkohësisht Drejtor i Zyrës së Urbanistikës pranë kësaj Bashkie, Eugen Gjyzari, me detyrë jurist i Këshillit të Rregullimit të Territorit pranë Bashkisë Himarë, dhe Tatjana Dhima, me detyrë Sekretare e Këshillit të Rregullimit të Territorit pranë Bashkisë Himarë gjatë viteve 2005-2008.

Regjistrimi i këtij procedimi është bërë mbi bazën e kallëzimeve penale të bëra nga shtetasit Pirri Cali, Anasatas Cali, Theodhori Veizi, Anasatas Llaguri, banues të qytetit të Himarës dhe Jalës.

Nga hetimet e kryera, si dhe nga provat e mbledhura në kuadër të këtij procedimi penal, ka rezultuar e provuar se, nga ana e të pandehurve janë kryer veprime në kundërshtim me përmbushjen e rregullt të detyrës gjatë shqyrtimit dhe miratimit të disa lejeve për ndërtim në territorin e Himarës dhe Jalës.

Sipas Porkurorisë janë miratuar leje për shesh ndërtimi dhe leje ndërtimi në favor të personave jo pronar të truallit, duke cenuar të drejtën e pronësisë së pronarëve të tyre.

Janë miratuar leje për ndërtim në zonat turistike, kur në ligjin për urbanistikën është sanksionuar se miratimi i lejeve të ndërtimit në zonat turistike është kompetencë vetëm e Këshillit të Rregullimit të Territorit të Republikës së Shqipërisë.

Janë miratuar leje për ndërtim për dy ose tre kate banimi me vendim të KRRT-së së Bashkisë Himarë, ndërsa zbardhja e tyre nga Vasillaq Bollano në cilësinë e Kryetarit të KRRT-së, është bërë për tre ose katër kate banimi, duke falsifikuar të dhënat e formularëve të lejeve, si dhe falsifikuar nëpërmjet ndërhyrjeve mekanike procesverbalet e mbledhjeve të KRRT-së së Bashkisë Himarë.

Janë miratuar leje për shesh ndërtimi dhe leje për ndërtim në zona jashtë vijës së verdhë të qytetit të Himarës, si dhe pa pasur një studim urbanistik të miratuar për truallin ku janë miratuar lejet e ndërtimit.

Prokuroria bëri me dije se kryetari i Bashkisë së Himarës, Vasillaq Bollano nuk është paraqitur asnjëherë para organit të prokurorisë për të dhënë shpjegime lidhur me faktet që i janë atribuar gjatë gjithë fazës së hetimeve paraprake dhe as në përfundim të tyre.

k.k/NOA

KOMENTE