English

Bosch: Korrupsioni, mbetet një dukuri ende mbizotëruese në Shqipëri, vonon integrimin

Tiranë, 9 dhjetor, NOA - Korrupsioni vazhdon që të mbetet një problem i madh dhe mbizotërues në shumë sektorë të jetës në Shqipëri.

Një deklaratë të tillë e ka bërë ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Robert Bosch, në ditën e korrupsionit, gjatë konferencës "Bashkë kundër Korrupsionit" mbajtur me një rast të tillë.

"Shqetësim mbetet mungesa e transparencës. Ende nuk ka transparencë për financimin e partive dhe ky përbën një shqetësim serioz, ndërsa mungojnë instrumentat për hetimin e financimit të tyre", mësohet të jetë shprehur shefi i OSBE-së.

Sipas tij, megjithëse janë marrë masa të guximshme, sërish ka një bazë ligjore ende të paqartë për të drejtën e pronës në vendin tonë, gjë që lë ende premisa për krijimin e akteve korruptive.

Nga ana tjetër, kreu i prezencës së OSBE-së tha se edhe gjyqësori duhet të jetë plotësisht i pavarur sepse se rastet e korrupsionit në administratë i zgjidh vetëm ky

institucion. Ai tha se ka një mungesë transparence në këto raste, gjë që rrit dyshimin ndaj gjyqësorit.

"Mediat të jenë të lira të raportojnë rastet korruptive në gjyqësor. Mos u bëhet presion gjyqtarëve pasi kjo shton pastaj dyshimin në vendimet që ata japin", ka këshilluar përfaqësuesi i OSBE-së lidhur me një çështje të tillë.

Në fund, ai e ka përfunduar fjalën e tij duke thënë se vonesat me anti-korrupsionin vonojnë futjen në Bashkimin Evropian.

a.ymeraj/NOA

KOMENTE