Nga korrespondenti i NOA në Athinë
Athinë, 10 Dhjetor NOA - Një përpjekje për grabitje ka precipituar në fatalitet rrugor në një lagje të Athinës kur katër persona sulmuan një çift të moshuar shqiptaro-amerikan dhe në ndjekje policore u përfshinë në aksident ku njëri humbi jetën dhe të tjerët e braktisën për t'i shpëtuar rënies në pranga.
Korrespondenti i agjencisë NOA citon burime zyrtare nga Policia e Athinës që raportojnë se ngjarja e rëndë ndodhi në orën 03.00 të ditës së Mërkurë në Rafina, lagjen e kryeqytetit grek.
Katër autorët në moshat 28-32 vjeç, hipur në një makinë, "u stacionuan" pranë një vile në lagjen "Rafina" dhe tre prej tyre hynë në brendësi të saj të maskuar dhe të armatosur, kurse njëri luajti rolin e rojës.
Tre agresorët u futën në banesën që ndodhet në rrugën "Stefanu Peri" 29-31 në qendër të Rafinës ku jetonin çifti me një grua amerikane 66 vjeçe dhe bashkëshortin e saj shqiptar me kombësi por amerikan me shtetësi, katër vjet më i madh.
Për vetë faktin se çifti ishte i moshuar, nuk bëri rezistencë, por kjo nuk i ka bindur hajdutët e dhunshëm sepse nën kërcënimin e armës, lidhën me litar burrin e shtëpisë dhe nën britma kërcënimesh me pistoletë te koka të shoqes, kërkuan të dijnë ku i mbanin paratë.
Në pak minuta, agresorët gjetën 30 mijë euro që gjendeshin në kasafortën në dhomën e gjumit të çiftit të pleqve dhe u zhdukën me shpejtësi duke iu bashkuar të katërtit që i priste në timonin e makinës.
Në arrati e sipër me autoveturën e tyre, një "BMW" ngjyrë blu me targa polake, arritën të avancojnë me shpejtësi deri në zonën e Psihikosë.
Por kur po përshkonin kryqëzimin e rrugëve "Dafni" dhe "Muson", për shkak se shpejtësia që ecnin ishte tejet e lartë, u përplasën me një shtyllë ndriçimi, me pasojë vdekjen e njërit prej tyre.
Duke parë se 31-vjeçari gjeti vdekjen, tre shokët e tij dolën nga makina dhe e braktisën bashkë me mjetin për t'u larguar me vrap në drejtime të ndryshme.
Policia e mbërritur pas pak minutash në vendin e aksidentit, gjeti brenda makinës dy pistoleta, disa maska dhe kasafortën që kishin shqyer autorët.
Policia tha se zbardhi identitetet e të dyshuarve dhe konfirmoi se viktima ishte shtetas rumunë dhe dyshon se edhe tre të tjerët ishin po ashtu rumunë, që kishin emigruar para disa muajsh në Greqi.
n.s/e.l/NOA