Tiranë, 9 dhjetor NOA - Kanë kaluar pesë vjet qysh kur u krijua Shoqata kulturore gjermano-shqiptare "Robert Schwartz", një mision i mundur tashmë mes dy vendeve tona, një urë mes dy kulturash, që e pruri më afër kulturën gjermane në Shqipëri, po edhe atë shqiptare në Gjermani. Drama, koncerte, mbrëmje letrare, punëtori të artit e letërsisë, botime... ka shumë për t'u treguar.
Në këtë përvjetor kjo shoqatë ka realizuar një potpuri me disa nga pjesët më të shënuara skenike që u realizuan ndër vite:Â Drama e Brehtit "Posht'epërpjetat e dashurisë", me Timo Fllokon, Ema Andrean, Arben Derhemin, Genti Rushi, Olsa Papandilin e të tjerë.
Aktiviteti do të zhvillohet ditën e premte, më dhjetor, ora 17.30 në Teatrin e Metropolit.
Ajo që duhet përmendur është edhe kontributi i madh i Ambasadës Gjermane, Shoqatës "Robert Schwartz" dhe shumë partner të tjerë shqiptarë në organizimin e aktivitetit "Javët e Kulturës Gjermano-Shqiptare" titulluar "Tetori Gjerman - Deutscher Oktober". Shumë herë në shtypin e shkruar dhe atë elektronik është artikuluar se "Ambasada Gjermane angazhohet me këtë projekt kjo vetëm për shkak të rezonancës së madhe të vitit të shkuar por edhe për arsye të afrimit të dy kulturave shqiptaro-gjermane".
Ambasadori Gjerman Zoti Bernd Borchardt është shprehur se "Me Javët e Kulturës ne dëshirojmë të japim një kontribut në njohjen e mëtejshme të ndërsjella të të dy vendeve. Procesi i afrimit me njëri-tjetrin funksionon më së miri nëpërmjet shkëmbimit kulturor të qytetarëve të vendeve tona. Vetëm në këtë mënyrë lind mirëkuptimi mbi atë çka motivon, nxit, frenon ose frikëson shqiptarët e gjermanët - vetëm kështu mësojmë cilat eksperienca dhe vlera përcaktojnë marrjen e këtij apo atij vendimi nga ana e tjetrit: vetëm mbi këtë mirëkuptim mund të funksionojë bashkëjetesa në një Evropë të bashkuar".
Pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike në vitin 1987, në vitin 1988 u hodhën themelet e bashkëpunimit ekonomik e politik ndërmjet të dy vendeve tona.
Qysh atëherë Republika Federale e Gjermanisë e ka mbështetur Republikën e Shqipërisë me më shumë se 700 milion Euro në formë ndihme dy- dhe shumëpalëshe.
Mbi 3000 bursa janë dhënë ndërkohë për studime, kërkime si dhe kualifikime dhe specializime në fusha nga më të ndryshmet.
m.s/NOA