English

Një grua në Shkodër dhunohet fizikisht nga i shoqi dhe vetëhelmohet

Shkodër, 9 Dhjetor NOA - Një grua në moshë të re iu dorëzua aktit të vetëflijimit, duke mos duruar dot më gjatë dhunën e vazhdueshme që i shoqi ushtronte ndaj saj dhe tani gjendet në spital nën vigjilencën e mjekëve.

Ngjarja ka ndodhur në Shkodër dhe për të është arrestuar si i përfshirë, bashkëshorti i saj, informon korrespondenti i agjencisë së lajmeve NOA.

Sokol Pepniku, 42 vjeç, lindur në fshatin Gimaj, Komuna Shalë dhe banues në lagjen "Partizani", të qytetit Shkodër, u arrestua para pak orësh nga policia vendore, pas një urdhër-ndalimi që lëshoi po sot, Prokuroria e Rrethit.

Ndalimi u bë pasi 42-vjeçari ka ushtruar dhunë fizike dhe psikike mbi bashkëshorten e tij M. Pepniku 35 vjeçe, lindur e banuese në Shkodër.

Gruaja në moshë të re, si pasojë e dhunës së ushtruar nga bashkëshorti, në orët e para të ditës së sotme, ka tentuar t'i japë fund jetës, duke pirë një sasi ilaçesh.

E dëmtuara u gjet dhe u dërgua në Spitalin Rajonal Shkodër, ku aktualisht ndodhet, nën kujdesin mjekësor.

Policia tha se pas prangosjes së burrit të dhunshëm, ai akuzohet për veprën penale të "shkaktimit të vetëvrasjes".

r.d/e.l/NOA

KOMENTE