Opozita shqiptare ka arritur një sukses të dukshëm ndërkombëtar duke bërë aleate të akuzës së saj, partitë socialiste evropiane. Ky sukses që duket se është arritur në Kongresin e partive socialiste evropiane në Pragë, ka rritur tensionin në Tiranë dhe kanë detyruar kryeministrin Berisha t'i rikthehet akuzave të tij të vjetra dhe gjuhës së shpifjeve, për të cilat është përgënjeshtruar zyrtarisht dhe nga Komisioni Evropian. Në emisionin e sotëm do të flasim mbi atë mbështetjen ndërkombëtare të opozitës për akuzën e saj dhe reflektimin e këtij suksesi te humbja e qetësisë së kryeministrit Sali Berisha
Mero Baze*
Kryeministri Berisha ka humbur përsëri qetësinë. Mungesa e entuziazmit në mitingun e administratës së tij më 8 Dhjetor, duket se nuk e qetësoi dot.
Një ditë pas mitingut ai u shfaq sot sërish me fytyrë të egërsuar para shqiptarëve, sikur kthehej nga një betejë kundër opozitës dhe jo nga një festë sikundër e kishte deklaruar, por që s'e beson me sa duket as vetë.
Shkaku i vërtetë i degradimit të tij në gjuhën e urrejtjes së opozitës, më shumë se sa dështimet e veta, kanë të bëjnë me mbështetjen në rritje për kauzën e opozitën te faktori ndërkombëtar.
Mbështetja që partitë socialiste evropiane i dhanë kauzës së opozitës dhe qëndrimi i ashpër dhe i prerë i Komisionit Evropian ndaj shpifjeve të kryeministrit Berisha në adresë të opozitës dhe drejtuesve të saj, e kanë izoluar projektin e tij për të përbaltur opozitën.
Dhe pikërisht sot më 9 Dhjetor, në ditën kur 19 vite më parë, studentët u përballën masivisht me regjimin 19 vite më parë, ai që përvetësoi meritat e tyre, ka përdorur një gjuhë shumë herë më të rëndë se të Hekuran Isait dhe Ramiz Alisë 19 vite më parë ndaj kundërshtarëve të tyre.
Ne pamë sot një kryeministër të cilësojë mafioz shefin e opozitës, pamë një kryeministër t'i rikthehet akuzave dhe shpifjeve për jetën e tij private, ne pamë një kryeministër që përpiqet të justifikojë veprimet mafioze të shtetit të kundër bizneseve dhe medies që nuk ka nën kontroll dhe mbi të gjitha pamë një kryeministër që përpiqet të fshehë persekutimin politik ndaj kundërshtarëve duke deklaruar se familja e tij dhe biznesmenët e familjes së tij janë në rregull me ligjin.
Kjo humbje qetësie e Sali Berishës dhe ky degradim i tij, sa mental aq dhe politik, janë një kosto që fatkeqësisht nuk e paguanÂ
vetëm Berisha dhe mbështetësit e vet, por gjithë shoqëria shqiptare.
Ne kemi tanimë një kryeministër që gjithë energjitë e veta nuk po i shpenzon për një qeverisje evropiane, por për të mbrojtur klientët e familjes së tij dhe biznesmenët e oborrit.
Ne kemi tanimë një kryeministër, që ka ulur profilin e tij në ato të një njeriu rrugësh dhe që është përgënjeshtruar për këtë shkak nga Komisioni Evropian. Kryeministri ynë është kapur duke gënjyer në emër të Qeverisë Evropiane, dhe nuk po kërkon ende falje. Kaq mjafton që shoqëria jonë të ndëshkohet për shkak të njeriut që e përfaqëson.
Ne kemi zyrtarisht një kryeministër gënjeshtar, të noterizuar me deklaratë zyrtare nga Komisioni Evropian si mashtrues.
Ne kemi një kryeministër që ka përdorur çdo mjet të pamoralshëm për t'i bërë presion drejtësisë shqiptare të mbyll çështjet nën hetim që preknin djalin e tij në Gërdec, vajzën e tij në Portoromano dhe djalin e adoptuar të tij politikisht Lulëzim Bashën në segmentin e florinjtë për nga shpenzimet, Rrëshen - Kalimash.
Dhe pikërisht pasi i mbyll këto çështje me dhunë dhe mjete të pashembullta të luftës psikologjike dhe fizike mbi gjyqësorin, del e thotë: më gjeni qoftë dhe një fakt për familjen time. Ai akuzon biznesmenë dhe medie, të cilat po e padisin në gjyq, dhe bën presion mbi gjyqësorin të mos pranojë paditë ndaj tij.
Ky është kryeministri ynë, ndoshta i vetmi kryeministër në Evropë që nuk pranon institucionet, nuk pranon verifikimin e akuzave në gjyqësor, që bën akuza në ekrane, por nuk i çon në prokurori, dhe që përpiqet të shpallë gënjeshtrat e tij si të vërteta duke na turpëruar në sytë e perëndimit si një vend me një kryeministër gënjeshtar.
(*) Dërguar nga autori