English

Përgjaket autostrada e vdekjes, dy të rinj me motor gjejnë vdekjen te kryqëzimi i Patokut

Laç, 9 dhjetor, NOA - Autostrada e vdekjes, ashtu siç është cilësuar ajo që të çon drejt Shkodrës për nga niveli i lartë i aksidenteve rrugore, është përgjakur sërish orët e para të mëngjesit të sotëm.

Pas aksidentit të rëndë të ndodhur pak javë më parë ku gjetën vdekjen 7 persona, këtë radhë mësohet se janë dy të rinj të cilët kanë humbur jetën duke udhëtuar me një çiklomotor.

Lajmi bëhet i ditur paraprakisht për agjencinë e Lajmeve NOA nga burime policore, ndërkohë që nga ekspertët hetimorë është duke u dokumentuar gjithë situata dhe provat në vendin e ngjarjes.

Mësohet se ajo ka ndodhur saktësisht në segmentin rrugor Fushë Krujë- Laç, në kryqëzimin e Patokut dhe dy të rinjtë e identifikuar me emrat Fatjon Deda, 26 vjeç dhe Skënder Thaçi, 28 vjeç, që të dy banues të Laçit, ishin duke udhëtuar me një çiklomotor.

Ky i fundit në ato momente ka devijuar nga rruga duke shkaktuar menjëherë vdekjen e dy të rinjve.

Ekspertët rrugorë ende nuk kanë përcaktuar ende shkaqet e ngjarjes, por deri tani mendohet të jetë kryesisht ajo e shpejtësisë së lartë me të cilën po udhëtonin në ato momente dy viktimat.

n.e/NOA

KOMENTE