English

Tri emra të rinj në Akademinë e Shkencave

Tiranë, 9 dhjetor NOA - Asambleja e Akademisë së Shkencave ka zgjedhur dje tri akademikët e rinj të asociuar, Anastas Angjeli, Aurela Anastasi dhe Ilir Malollari. Propozimet nga kjo Asamble kishin filluar prej 1 muaj e gjysmë, ndërsa dje është votuar për këta kandidatë që konkurronin për fushat sociologji, ekonomi, jurisprudencë, kimi. Njësoj është votuar edhe për vendin bosh të akademikut të përhershëm, pas ndarjes nga jeta të akademikut Teki Biçoku.

Mes katër fushave ku konkurrohej, u zgjodhën vetëm tre syresh dhe konkretisht për fushën ekonomike, në të cilën u zgjodh në mënyrë unanime prof. Dr. Anastas Angjeli, në kimi prof. Dr. Ilir Malollari dhe në jurisprudencë Aurela Anastasi, profesore e së Drejtës Kushtetuese.

Nëse në fushën ekonomike kishte disa kandidatura, në dy të tjerat, u votua vetëm për një kandidat. Burime të brendshme tregojnë se nuk u arrit numri i duhur i votave për zgjedhjen e akademikut në fushën sociologjike. Kjo do të thotë se së shpejti do të zhvillohet një raund tjetër zgjedhjesh.

Për zgjedhjen e akademikut të përhershëm kandidonin historiani Kristo Frashëri, studiuesi Alfred Uçi dhe etnologia Andromaqi Gjergji. Mësohet se asnjë prej kandidatëve nuk mori numrin e duhur të votave, (50%+1). Pas një muaji mund të zhvillohet takimi i radhës i Asamblesë së Akademisë së Shkencave për zgjedhjen e akademikëve të përhershëm.

Në mbledhjen e djeshme merrnin pjesë 32 akademikë, anëtarë të rregullt dhe të asociuar. Në bazë të rregullores, disa prej akademikëve që jetojnë jashtë vendit kanë votuar në distancë (me zarf).

m.s/NOA

KOMENTE