English

Udhëheqësi pa brekë

Unë jam i vetëdijshëm se në sheshin "Skënderbej" nuk ishin të paktë, madje të shumtë, që ndjeheshin të lënduar, ndjeheshin të irrituar me të drejtë, sepse sot pas 19 vitesh një njeri, një udhëheqës i Partisë Socialiste, por do të më falni, se do të shprehem, një udhëheqës pa brekë, sepse siç ka dalë zotëria e tij në plazhet publike, nuk ka një politikan të vetëm në botë që të ketë dalë, nuk ekziston një politikan që vazhdon karrierën politike pas një akti apo një gjesti të tillë, ai njeri deklaron se do të shkelmojë mbi votën tuaj, deklaron se nuk njeh vullnetin tuaj

Nga Sali Berisha

Kryeministër

Dëshiroj t'ju përcjell urimet e mia më të përzemërta, mirënjohjen time më të thellë për takimin e jashtëzakonshëm, mitingun më madhështor, në historinë e kryeqytetit, në nderim të një date që përcaktoi lindjen e lirive dhe të drejtave tona njerëzore, të një date që përcakton moshën e lirisë tonë dhe moshën tonë, si njerëz të lirë. Në sheshin "Skënderbej", ne u bashkuam si qytetarë nga mbarë Tirana, nga mbarë Shqipëria, u bashkuam si kurrë ndonjëherë më parë. Ndaj dhe unë duke u përkulur me nderim të madh, me mirënjohje të thellë, dëshiroj t'ju përqafoj të gjithëve ju, për aktin tuaj fisnik, për nderimin që i bëtë 8 Dhjetorit, datës që ndau historinë.

Ne u bashkuam në shesh gjysmë milioni qytetarë, si kurrë ndonjëherë, me ndjenjën e thellë të besimit të asaj që realizuam 19 vite më parë, të asaj që studentët liberatorë, të udhëhequr nga Azem Hajdari, realizuan me 8 dhjetor të viti 1990. Nderuam, pra veprën e tyre të madhe, nderuam kurajën, trimërinë, guximin tonë. Por në sheshin "Skënderbej" ne nuk u mblodhëm për të nderuar vetëm atë datë. Jo, ne ishim shumë në shesh, më shumë se kurrë, sepse sot ne jemi shumë, jemi më shumë se kurrë. U mblodhëm edhe për të festuar përpjekjet dhe arritjet tona 19-vjeçare. 19 vjet më parë, ne ishim djem, vajza, burra, gra, që dyert i hapëm, por rrugën nuk e dinim. Këto 19 vite, ne e mësuam rrugën duke ecur, duke udhëtuar. Por kemi kaluar një rrugë jo të lehtë, të suksesshme, për të cilën duhet të jemi krenar.

Ne u mblodhëm në shesh më shumë se kurrë në historinë tonë, sepse këtë 8 Dhjetor e kremtojmë si qytetar të një vendi anëtar të NATO-s; këtë 8 Dhjetor e kremtojmë si një vend dhe qytetarë që zhvilluan zgjedhje të lira dhe të ndershme; këtë 8 Dhjetor e kremtonim, pasi kërkesa jonë për anëtarësimin e plotë në Bashkimin Evropian, ishte pranuar dhe pasi ishte vendosur, që për ne, gjatë muajve që vijnë, vizat të hiqen njëherë e përgjithmonë; këtë 8 Dhjetor, e festonim me një ekonomi, që u dëshmua më solidja në Evropë, në cunamin e madh ekonomik dhe financiar, që përfshiu tregjet evropiane dhe amerikane.

Ajo çka unë pashë, preka, ndjeva, dëgjova në shesh ishte vërshimi i lumenjve të mëdhenj të entuziazmit, të optimizmit, të shpresës, të besimit. Pra sheshi "Skënderbej" ishte zbukuruar si kurrë ndonjëherë në historinë e tij me idealet e dhjetorit, me idealin evropian të qytetarëve shqiptarë. Unë dua t'ju garantoj ju, se e marr këtë mbështetje masive, si një përgjegjësi të madhe, si një detyrim madhor, që me përkushtimin më të madh dhe total, të qeverisë time dhe të administratës, të bëjmë çdo gjë që ëndrrat tuaja t'i shndërrojmë në realitet, të lëvizim sa më shpejt të lirë pa viza në Evropë, të ndërtojmë me përkushtim të madh Shqipërinë evropiane.

Të dashur qytetarë dhe qytetare, studentë dhe studente, të rinj dhe të reja!

Unë jam i vetëdijshëm se në sheshin "Skënderbej" nuk ishin të paktë, madje të shumtë, që ndjeheshin të lënduar, ndjeheshin të irrituar me të drejtë, sepse sot pas 19 vitesh një njeri, një udhëheqës i Partisë Socialiste, por do të më falni, se do të shprehem, një udhëheqës pa brekë, sepse siç ka dalë zotëria e tij në plazhet publike, nuk ka një politikan të vetëm në botë që të ketë dalë, nuk ekziston një politikan që vazhdon karrierën politike pas një akti apo një gjesti të tillë, ai njeri deklaron se do të shkelmojë mbi votën tuaj, deklaron se nuk njeh vullnetin tuaj. Pse kjo? Absolutisht fund e krye, vetëm për interesa mafioze të pastra. Votën tuaj e kanë bekuar, e kanë legjitimuar 20 mijë anëtarë të Partisë Socialiste, të gjitha institucionet ndërkombëtare, të gjithat qeveritë e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe vende të lira të botës. Por votën tuaj nuk mund ta njohë një njeri, i cili është i vetmi që unë di sot, për 9 vite me radhë, i mohoi kafshatën fëmijës së tij.

E atëherë çfarë mendoni ju se ky shok apo ky zotëri, do të mund të pranojë votën tuaj, do të mund të pranojë fëmijët tuaj, do të mund të pranojë familjet tuaja? Kurrën e kurrës! Ai që i mohon fëmijës së tij atësinë, ai, jo votën, por është i gatshëm t'ju mohojë ju çdo gjë. Ky pinjoll, i një babai që firmoste ekzekutimin e intelektualëve, pikërisht muajin kur shembej muri i Berlinit, na shprehet se është krenar me trashëgiminë e tij, madje dhe kërcënon me trashëgiminë e tij.

Të dashur qytetarë dhe qytetare!

Unë ju ftoj ju të mos konfondoni, aty ku punoni dhe jetoni, kurrë dhe asnjëherë, këtë zotëri, këtë shok, me fqinjin tuaj socialist, me të afërmin tuaj socialist, as edhe me opozitën, e cila është një vlerë morale e pakontestueshme për vendin. Pasi ky zotëri nuk ka asnjë interes opozitar, nuk ka asnjë interes demokratik, ka thjesht vetëm një kauzë mafioze, kauzë e cila qëndron në përvetësimin e qindra mijëra, në mos miliona metra katror, troje publike në Tiranë, me klanet mafioze që e drejtojnë dhe i drejton; kauzë e cila konsiston në mbylljen e rrugëve dhe ndërtimin mbi rrugët e kryeqytetit; kauzë, e cila konsiston në shndërrimin në bashkëpronar në tokat dhe trojet publike, sikur të ishin trashëgimi e të atit dhe jo pronë e qytetarëve shqiptarë; kauzë, e cila konsiston në shpifjet dhe trillime të ulëta, të përditshme, ndaj cilitdo, në mënyrë që të krijojë përshtypjen se këtu në Shqipëri janë të gjithë të përlyer si ai. Dy vite me radhë, ka sulmuar me egërsinë më të madhe familjen time, fëmijët e mi, dhe së fundmi nipat dhe mbesat e mia, duke mos u paraqitur shqiptarëve qoftë edhe dokumentin edhe më të vogël, të shkeljes më minimale të ligjit, të përfitimit të pamerituar, të mospagimit të taksave, qoftë edhe një rast të vetëm. E vërteta është se këtë ai është i gatshëm ta bëjë me fëmijët e gjithsecilit prej jush, me bashkëshortet e gjithsecilit prej jush për fajin e vetëm se ato nuk zhvishen plazheve, siç i zhvesh ai të vetat apo, ato janë të ushqyer, nuk u është mohuar kafshata, janë trajtuar siç duhen të trajtojë prindi fëmijën.

Të dashur qytetarë dhe qytetare!

Edhe një herë ju ftoj të vazhdojmë rrugën tonë, rrugë dinjiteti, rrugë e lodhshme, rrugë suksesi. Të ecim të sigurtë, të ndërtojmë Shqipërinë evropiane. Dhe unë dua të zotohem sot prapë para jush, se ky pinjoll i Bllokut, nuk do të mund të luajë kurrë me vullnetin tuaj, se përpjekja e tij për të luajtur me votën tuaj dhe vullnetin tuaj, do të marrë përgjigjen më serioze ligjore dhe se çfarë do që të bëjë ky bos i aleancës punisto-mafioze, s'do të mundet kurrë të bllokojë çmontim çdo ditë të klaneve mafioze, që ai udhëheq, nxjerrjen nga kthetrat e tyre të pasurive publike që kanë përvetësuar, vendosjen e tyre para ligjit. Dhe në këtë betejë, edhe një herë e theksoj, në mënyrë absolute, nuk do të ketë asnjë nuancë politike. Ata, të cilët, vënë në dyshim karakterin jopolitik të kësaj beteje, i ftoj të paraqesin qoftë edhe dokumentin më të vogël ndaj cilitdo dhe të provojë nëse Sali Berisha do të qëndrojë një lloj apo jo.

Të dashur qytetarë dhe qytetare!

Hymë në një fazë, në të cilën po ecim drejt liberalizimit të vizave, integrimit më të shpejtë në Evropë. Të vazhdojmë së bashku rrugën, të ecim të sigurtë duke garantuar të drejtat e tuaja dhe të mbarë shqiptarëve, duke i zgjeruar ato, duke konsoliduar çdo ditë e më shumë shtetin ligjor.

KOMENTE