Tiranë, 9 dhjetor NOA - Rreth 22 foshnja në 1000 lindje në maternitetin nr.2 në Tiranë vdesin dhe sipas specialistëve numri më i madh i tyre i përket rretheve.
Mjeku gjinekolog Orion Gliozheni thotë se shkaku i vdekjeve janë komplikacionet e rënda të shtatëzanive.
"Tirana mban vendin e parë në lidhje me vdekshmërinë foshnjore. Shumica e rasteve referohen në Tiranë pasi vijnë me një natyrë problematike mjaft të rëndë. Krahasuar me vendet e zhvilluara vendi ynë vazhdon të raportojë shifra të larta të vdekshmërisë pavarësisht një tendence në ulje të rasteve që vihet re vitet e fundit. Duhet që të gjithë mjekët specialistë të përdorin një protokoll të njëjtë, një mënyrë të njëjtë trajtimi me qëllim që dhe në rrethe të trajtohen rastet me probleme", u shpreh mjeku gjinekolog, Orion Gliozheni.
Ndërsa ministri i Shëndetësisë Petrit Vasili theksoi rëndësinë e krijimit të një sistemi informacioni për vdekshmërinë foshnjore.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, rreth 30 për qind e rasteve të vdekshmërisë foshnjore kanë si shkak sëmundjet e aparatit të frymëmarrjes, ndërkohë që vdekjet me sëmundje diareike, janë ulur me 50%.
Në rrethet e zonave verilindore, si Dibër, Malësi e Madhe, Mirditë, vdekshmëria foshnjore është dy herë më e lartë. Por, sipas Ministrisë së Shëndetësisë, vdekshmëri të lartë foshnjore kanë edhe disa rrethe të mëdha të vendit si Tirana dhe Elbasani.
b.m/NOA