English

Analistët: Shqiptarët duhet të shfrytëzojnë veton greke për BE

Shkup, 10 dhjetor, NOA - Në Maqedoni, ekspertët dhe analistët shqiptarë dhe maqedonas janë të ndarë sa u përket alternativave që duhet të ndjekë vendi pas vetos së dytë greke për mosdhënien e datës për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE.

Analistët shqiptarë theksojnë se faktori politik shqiptarë duhet të jetë përfundimisht më aktiv dhe më këmbëngulës sa i përket vendosjes në agjendë çështjen shqiptare, e cila vazhdon të zvarritet. "Nevojitet përgjegjësi dhe vendosmëri për të shtruar çështjet që tani sa i përket problemeve shtetërore, që tangojnë të gjithë qytetarët, duke përfshirë edhe shqiptarët. Për këto probleme dhe ngecje ka përgjegjësi politike shtetërore, mirëpo nga kjo nuk mund të ikë edhe subjekti politik shqiptar që është participient në institucione dhe qeverisje", ka theksuar, analisti dhe eksperti i çështje juridike, prof.dr. Osman Kadriu.

Sipas tij, politika shtetërore nuk po tregon aktivitet, gatishmëri dhe përgjegjësi për çështjet vitale shtetërore dhe interesat e të gjithë qytetarëve. "Kjo çka po ndodhë tash është një dështim me pasoja të rënda për Maqedoninë dhe për statusin e saj . Për këtë po pësojnë edhe shqiptarët", ka theksuar Kadriu. Ish-politikani dhe analisti politik Naser Zyberi për këto çështje ka deklaruar se shqiptarët sillen në mënyrë shumë të papërgjegjshme rreth procesit të negociatave dhe kjo reflektohet shumë negativisht në përpjekjet për t'u integruar Maqedonia në NATO dhe në BE. "Shqiptarët politikisht janë në gjendje letargjike dhe në këtë situatë nuk presim të ndodhë diçka spektakolare.Ai tha se sikur shqiptarët të ishin këmbëngulës në raport me qeverinë, atehërë kryeministri nuk mund të sillet në atë mënyrë që bisedat t'i vazhdojë pa kufij", ka theksuar Zyberi. Nga ana tjetër, ekspertët maqedonas theksojnë se çështja e emrit nuk duhet të ndërlidhet me problemet e brendshme që kanë të bëjnë edhe me pozitën e shqiptarëve apo realizimin e Marrëveshjes së Ohrit.

Ish-ministri i jashtëm, Sllobodan ]ashule ka theksuar se sa i përket çështjes së emrit tani duhet të arrihet një platformë e përbashkët midis të gjitha partive politike dhe të forcohet pozicioni në politikën e jashtme me gjetjen e aleatëve të rinj, karshi Greqisë, që të arrihet një zgjidhje e kontestit deri kah mesi i vitit të ardhshëm.

NOA-INA

KOMENTE